Braktisja e votimeve në Kosovë, Gjinali: Qytetarët e kanë humbur shpresën se zgjedhjet sjellin zgjidhje

Braktisja e votimeve në Kosovë, Gjinali: Qytetarët e kanë

Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë kanë prodhuar një fitues të qartë, por jo domosdoshmërisht një zgjidhje për ngërçin e thellë politik që ka mbërthyer vendin.

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje, e mbështetur edhe nga votat e mërgatës, ka siguruar 53 mandate duke fituar të drejtën për formimin e institucioneve dhe të qeverisë e vetme, rruga drejt stabilitetit duket e minuar.

Pengesa e parë dhe më e madhe mbetet zgjedhja e Presidentit, një proces që kërkon me urgjencë një konsensus të gjerë mes palëve politike, përpara se të hidhet çdo hap tjetër për krijimin e qeverisë së re.

Për këtë ccështje politologu Ardit Gjinali në një intervistë për “Ora Neës” ngriti alarmin se pas këtij procesi, i cili u konsiderua i qetë dhe i pranuar nga palët, fshihen hije dyshimi për ndërhyrje anësore.

Sipas tij, ekzistojnë pretendime të forta se partia qeverisëse ka përdorur mekanizma të ashtuquajtura "paketa financiare" për të ndikuar në rezultatin përfundimtar, një skemë që raportohet të jetë vërejtur edhe në proceset e fundit elektorale.

Kjo temë pritet të shkaktojë debate të ashpra pasi të konstituohet Kuvendi i ri, duke i shtuar një tjetër sfidë të brendshme krizave të njëpasnjëshme dhe legjislaturave jetëshkurtra që nuk kanë lejuar adresimin e këtyre fenomeneve.

Megjithatë, lajmi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve nuk ndodhet tek ata që votuan, por tek ata që refuzuan të dalin. Kjo pasi sicc tha Gjinali, pjesëmarrja në votime ka pësuar një rënie drastike, duke u kthyer në një bojkot të heshtur qytetar. Kjo braktisje masive e kutive të votimit vlerësohet nga Gjinali si një "mesazh shkundës" për të gjithë klasën politike.

Qytetarët kanë humbur shpresën se zgjedhjet sjellin zgjidhje reale dhe tashmë po e faturojnë përgjegjësinë tek aktorët politikë, në një shkallëzim ku barra më e rëndë bie pikërisht mbi fituesit dhe ata që kanë qeverisur.

PJESË NGA BISEDA

Si i patë si fillim zgjedhjet që nga procesi te numërimi dhe më pas te rezultatet?

Ardit Gjinali: Procesi në tërësi në traditën e zhvillimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës ishte një proces zgjedhor i qetë, ku palët secila prej tyre parimisht ka pranuar rezultatin zgjedhor përkatës.

Përtej faktit që duhet përmendur që veçanërisht në tre proceset elektorale të fundit, përkatësisht në balotazhin e zgjedhjeve vendore të nëntorit, fillim nëntorit të 2025-ës, në dhjetorin e vitit 2025 me zgjedhjet e parakohshme të parat pas atyre të rregullta të shkurtit 2025 dhe së fundi dhe me zgjedhjet e tanishme të 7 qershorit, patjetër që është vërejtur një tendencë nga ana e partisë së parë qeverisëse dhe fituesit të këtyre zgjedhjeve, pikërisht për të ndikuar në mënyrë anësore rezultatin zgjedhor përmes disa mekanizmave të quajtura paketa financiare, të cilat pretendohet që kanë ndikuar në mënyrë siç e thashë anësore, dhe jo tërësore, por anësore, pikërisht dhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Megjithatë ky është një debat i cili mendoj që do të zhvillohet pas konstituimit të kuvendit, njëkohësisht edhe në sfidat e reja që do të ketë Republika e Kosovës krahas sfidave në planin ndërkombëtar, po dhe sfidat e brendshme përsa i takon dhe adresimit të kësaj çështjeje, e cila në fakt nuk është adresuar duke pasur parasysh krizat e vazhdueshme politike dhe duke pasur parasysh që legjislaturat përkatëse kanë qenë tërësisht jetëshkurtra dhe mundësia për të diskutuar të tilla çështje ka qenë thuajse inekzistente.

Më pas për t'u kthyer sërish tek rezultati zgjedhor në tërësi, pas procesit paraeleminar, pra rezultatet paraprake të 7 qershorit të cilat dhanë një panoramë të ndryshme nga rezultati përfundimtar i cili erdhi pas numërimit të votave të mërgatës nga njëra anë dhe votave me postë nga ana tjetër, tashmë shohim që Lëvizja Vetëvendosje së bashku me aleatët e saj ka sërish mundësinë që ta krijojë qeverinë e vetme. Por patjetër që çështja thelbësore e cila mbetet për t'u zgjidhur është çështja e presidentit. Një çështje e cila dhe në rrugën kushtetuese parashikohet të jetë çështja e parë përpara krijimit të qeverisë.

Dhe përkatësisht kjo çështje e bën pikërisht secilin prej aktorëve kryesorë politikë dhe secilën prej palëve politike në parlament që të kenë përpara detyrën e rëndësishme të realizimit të konsensusit.

Një moment tjetër i rëndësishëm që vlen për t'u përmendur për sa i takon zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të organizuara në Kosovë në 7 qershor, ka të bëjë dhe me faktin e një pjesëmarrje shumë më të ulët të qytetarit të Republikës së Kosovës në krahasim dhe me zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025 që ishin zgjedhje të rregullta pas përfundimit të legjislaturës 2021-2025.

Pra, vërejmë që qytetari i Republikës së Kosovës vendosi në heshtje për të mos e ushtruar vullnetin e tij demokratik, por vendosi që të përcjellë një mesazh te klasa politike, përkatësisht mbi secilën sjellje të aktorëve politikë, mbi faktin që zgjidhjet kanë munguar pas zgjedhjeve. Dhe duke parë një shpresë të zbehtë të qytetarit për zgjidhje pas zgjedhjeve, patjetër që mesazhi i mungesës në kutitë e votimit është një mesazh shkundës për secilën parti politike.

Por patjetër që ky mesazh shkundës nuk mund të merret i përgjithshëm, por është një mesazh i cili mund të konsiderohet një mesazh i shkallëzuar, në kuptimin që përkatësisht, njëjtë siç secili proces elektoral ka fituesit edhe humbësit, ka të renditurit të parët, të dytët, të tretët apo të katërtët, njëjtë si fitorja që radhitet përkatësisht në numrat rendorë, njëjtë edhe përgjegjësia, dhe shpesh edhe reflektimi mbi bojkotet e caktuara dhe sjelljet e caktuara të votuesit, si rasti i votuesit të Kosovës, përkatësisht ka të bëjë me një faturim të klasës politike në tërësi, e cila sërish shkon në mënyrë të shkallëzuar nga i pari tek më pak i votuari.

PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME POLITOLOGUN ARDIT GJINALI

EMISIONET