Pse macet hanë bar? Ja çfarë thotë shkenca

Një studim i kryer nga studiues të universitetit amerikan High Point University ka hedhur dritë mbi një sjellje të zakonshme të maceve: ngrënien e barit dhe nxjerrjen përsëri nga stomaku.
Duke analizuar masat bimore të vjella nga macet me mikroskop elektronik, studiuesit zbuluan se qimet e gëlltitura gjatë pastrimit të përditshëm mbeten të “kapura” te trikomet, strukturat mikroskopike me formë gjembash që gjenden në sipërfaqen e disa bimëve.
Sipas kërkuesve, bari vepron si një lloj “kurthi për qimet”, duke i ndihmuar macet të pastrojnë stomakun dhe të eliminojnë grumbullimet e qimeve të gëlltitura gjatë lëpirjes së gëzofit.
Pra, ngrënia e barit nuk është një shenjë sëmundjeje. Përkundrazi, ajo duket të jetë një sjellje instinktive, e zhvilluar gjatë evolucionit, që i ndihmon macet të mbajnë të pastër sistemin e tyre tretës.

