“New York Post”: Pilulat kundër shtatzënisë mund të lidhen me çrregullime të të ngrënit të pakontrolluar te gratë

“New York Post”: Pilulat kundër shtatzënisë mund

Për miliona gra, dëshira e papritur për të konsumuar sasi të mëdha ushqimi – qoftë një kuti të tërë akulloreje apo një qese të madhe patatinash – shpesh duket e pashpjegueshme.

Tani, një studim i ri sugjeron se një medikament i përdorur gjerësisht, mund të ketë një rol më të madh nga sa është menduar deri më sot.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “JAMA”, zbuloi se gratë kishin dukshëm më shumë gjasa, të përjetonin episode të ngrënies kompulsive në ditë të caktuara dhe se shkaku nuk lidhej me stresin, gjendjen emocionale apo përdorimin e medikamenteve të tjera.

Në vend të kësaj, studiuesit identifikuan një lidhje hormonale që mund të ndihmojë në shpjegimin e dëshirës së fortë për ushqim dhe episodeve të mbingrënies që përjetojnë disa gra.

Gjetjet hedhin dritë të re mbi ngrënien e pakontrolluar, një çrregullim serioz, por shpesh të keqkuptuar, që prek në mënyrë disproporcionale vajzat dhe gratë dhe që lidhet me depresionin, abuzimin me substanca dhe probleme të tjera shëndetësore.

Sipas studiuesve, faktori kryesor mund të jenë pilulat kontraceptive të kombinuara, forma më e përhapur e kontracepsionit hormonal. 

Sipas një studimi të vitit 2012, rreth 85% e grave i përdorin ato në një moment të jetës së tyre.

Për studimin, shkencëtarët në Universitetin e Miçiganit, në SHBA, ndoqën 422 gra të moshës 15 deri në 30 vjeç për 49 ditë rresht, afërsisht sa dy cikle menstruale. 

Pjesëmarrëset regjistruan çdo ditë përdorimin e pilulave aktive dhe joaktive, si dhe episodet e mbingrënies.

Rezultatet treguan se episodet e ngrënies së pakontrolliar, ishin më të shpeshta në ditët kur gratë merrnin pilulat aktive hormonale krahasuar me ditët kur merrnin pilula joaktive ose “placebo” (tableta pa hormone,  të cilat merren zakonisht gjatë javës së fundit të ciklit për të ruajtur rutinën e përditshme të marrjes së pilulës).

Lidhja mbeti e dukshme edhe pasi studiuesit morën në konsideratë faktorë të tjerë, që mund të ndikojnë në sjelljen ushqimore, përfshirë gjendjen e keqe emocionale dhe përdorimin e barnave të tjera. 

Ndërkohë, pilulat nuk dukeshin se kishin ndikim të rëndësishëm në shqetësimin për peshën trupore.

Një tjetër gjetje interesante ishte se episodet e ngrënies së pakontrolluar, priren të zvogëloheshin gradualisht ndërsa pjesëmarrëset vazhdonin të mbanin shënime për zakonet e tyre ushqimore. 

Sipas studiuesve, kjo sugjeron se vetëmonitorimi i sjelljes, mund t’i ndihmojë disa gra të bëhen më të vetëdijshme, për modelet e të ngrënit dhe të rifitojnë kontroll mbi to.

Megjithatë, autorët e studimit paralajmërojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe nuk duhet të interpretohen  si arsye për të ndërprerë përdorimin e pilulave kontraceptive. 

Ky është studimi i parë i madh, që analizon ndryshimet e përditshme në ngrënien e pakontrolluar, gjatë ditëve me pilula aktive dhe joaktive.

Edhe ekspertët e pavarur kërkojnë kujdes në interpretimin e gjetjeve. 

Dr. Deena Hailoo, eksperte e trajtimit të obezitetit në rrjetin spitalor Northwell Health në SHBA, vlerësoi se rezultatet janë premtuese, por kërkojnë studime të mëtejshme.

Sipas saj, nevojiten ende kërkime, për të kuptuar nëse forma të tjera të kontracepsionit hormonal, si spiralet hormonale, unazat vaginale apo implantet, prodhojnë efekte të ngjashme.

Ndërkohë, ajo rekomandon mbajtjen e një ditari ushqimor për gratë, që shqetësohen për episodet e ngrënies kompulsive ose dëshira e shtuar, për ushqim gjatë përdorimit të pilulës.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e një diete të balancuar, të pasur me ushqime të plota, proteina dhe fibra, aktivitetit fizik të rregullt dhe mbështetjes emocionale, për ruajtjen e një peshe të shëndetshme dhe menaxhimin e dëshirave për ushqim.

EMISIONET