Misteri i “TikTok Farlands”: Mit, art apo realitet i frikshëm?

Një anë e fshehtë e TikTok-ut, e quajtur nga përdoruesit “TikTok Farlands”, dyshohet se përmban një hapësirë të errët dhe të çuditshme videosh që algoritmi zakonisht nuk i shfaq, shkruan BBC.
Ky territor digjital, për të cilin nuk ka një konfirmim zyrtar, është bërë objekt diskutimesh mes teorive të konspiracionit dhe kulturës online.
Ndërsa TikTok-u njihet për përmbajtje të përgjithshme argëtuese dhe të kuruar nga algoritmi, përdoruesit pretendojnë se ekziston një “anë tjetër” e platformës – ku përfshihen video të çuditshme, shqetësuese dhe shpesh të frikshme, që shfaqen vetëm nëse sistemi “thyhet” përmes kërkimeve apo kodeve të veçanta.
Sipas këtyre rrëfimeve, hyrja në këtë hapësirë, kërkon përdorimin e kombinimeve të rastësishme të numrave dhe shkronjave të ndara në komente videosh, duke anashkaluar rekomandimet normale të algoritmit.
Disa e kanë përshkruar, si një mënyrë për të “hyrë përtej kufijve të TikTok-ut standard”.
Ekspertët e medieve sociale, e lidhin këtë fenomen me pakënaqësinë në rritje ndaj algoritmeve që kontrollojnë atë që përdoruesit shohin.
Sipas tyre, “Farlands” pasqyron përpjekjen e njerëzve, për të rikthyer kontrollin mbi përvojën e tyre online, dhe për të eksploruar anët e fshehura të platformave digjitale.
Megjithatë, përmbajtja, që pretendohet si pjesë e “Farlands” është e paqartë dhe e vështirë për t’u verifikuar.
Disa video janë të rastësishme, të tjera eksperimentale apo artistike, ndërsa disa përshkruhen si shqetësuese dhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Emri “Farlands” vjen nga një (glitch) – bllokim i sistemit, i njohur në lojën “Minecraft”, ku në kufijtë ekstremë të botës virtuale, shfaqeshin peizazhe të shtrembëruara dhe kaotike.
Në të njëjtën mënyrë, përdoruesit e TikTok-ut e përdorin këtë term, për të përshkruar një “skaj” të fshehtë të internetit, ku përmbajtja bëhet gjithnjë e më e çuditshme dhe e paparashikueshme.
Disa studiues theksojnë se ky fenomen, ndërthur mite të vjetra të internetit, estetikë “creepypasta” dhe trende të reja të krijimit të përmbajtjes digjitale, duke e bërë të paqartë kufirin mes realitetit, artit dhe thjesht viralitetit.
Edhe pse disa përdorues, pretendojnë se kanë gjetur mënyra për të “manipuluar” algoritmin dhe për të hyrë në këtë hapësirë, nuk ka prova të qarta se “TikTok Farlands” është një sistem real i fshehur, apo thjesht një mit modern i rrjeteve sociale.


