PAMJET/ “Festa e Grurit” bashkon traditën, kulturën dhe turizmin në Fier

“Festa e Grurit”, një nga aktivitetet më të rëndësishme tradicionale të Myzeqesë, mblodhi këtë fundjavë mijëra vizitorë pranë Apolonisë, duke shënuar nisjen simbolike të sezonit të korrjeve dhe promovimin e trashëgimisë bujqësore të zonës.
E kthyer tashmë në traditë prej tetë vitesh nga Bashkia e Fierit, festa risjell ritualet e lashta të kremtimit të “bukës së re”, duke ndërthurur kulturën, historinë dhe jetën bujqësore të Myzeqesë.
Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, e cilësoi aktivitetin si “një natë magjike në zemër të Apolonisë”, ku mijëra qytetarë u bënë pjesë e një feste që bashkoi traditën, muzikën dhe shpirtin e Myzeqesë.
Deputetja dhe drejtuesja e PS të Qarkut të Fierit, Belinda Balluku vlerësoi organizimin si një nismë që promovon jo vetëm vlerat kulturore, por edhe rëndësinë e bujqësisë për ekonominë e zonës.

Ajo theksoi se përmes skemave mbështetëse dhe subvencioneve, qeveria vijon të inkurajojë fermerët të investojnë në kultivimin e drithërave dhe rritjen e prodhimit vendas.
“Pjesëmarrja është vërtet mbresëlënëse sepse ka njerëz jo vetëm nga Fieri, por dhe nga Vlora dhe ajo që më gëzon më shumë është se kanë ardhur shumë njerëz nga diaspora. Festa të tilla përveçse krijojnë jetë sociale në qarkun e Fierit nga ana tjetër edhe i nxisin njerëzit për t’i afruar më afër bujqësisë”, tha Balluku.

Ajo apeloi që të gjithë fermerët të aplkojnë për të përfituar nga paketat e subvencioneve që Ministri e Bujqësisë ka prezantuar.
Parada e vajzave të veshura me kostume tradicionale, demonstrimi i procesit të korrjes së grurit, pjesëmarrja e kombajnerëve dhe bukëpjekësve, si dhe panairi i produkteve lokale, ishin ndër momentet më të veçanta të festës.

Rreth 5 mijë persona morën pjesë në aktivitet, duke ndjekur koncertin me muzikë popullore dhe duke shijuar gatimet tradicionale të zonës. “Festa e Grurit” synon të nxisë kultivimin e grurit vendas dhe të promovojë identitetin bujqësor të Myzeqesë, ndërsa është vlerësuar nga institucionet e turizmit si një nga ngjarjet tradicionale më të rëndësishme në vend.
Zona e Fierit është një nga rajonet me potencialin më të lartë në vend sa i takon prodhimit bujqësor dhe atij të grurit, që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit, angazhimin e forcës në punë dhe zhvillimin e ekonomisë lokale rurale.


