Ahmeti për deklaratën e ministres serbe: Ata që ëndërrojnë spastrim etnik, përfundojnë në bankën e historisë

Ahmeti për deklaratën e ministres serbe: Ata që

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç, e cila është shprehur gjatë një interviste televizive se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.

Ahmeti shprehet përmes një reagimi në rrjetet sociale se kjo deklaratë “është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme”.

“Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviçit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij”, shton ai.

Ahmeti nënvizon se “të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane”.

Sipas tij, “mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI”.

“Por historia e ka dhënë përgjigjen e saj. Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, thekson Ahmeti.

Kreu i BDI-së deklaron se “ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”.

EMISIONET