Haradinaj: Çdo sukses i Shqipërisë, lajm i mirë për të gjithë shqiptarët

Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar nderi i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj ka theksuar se “përmbyllja e tre kapitujve të rinj për Shqipërinë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një arritje që dëshmon se me vizion dhe angazhim institucional, integrimi evropian është i arritshëm”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Haradinaj nënvizon se çdo sukses i Shqipërisë është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.
Sipas tij, ky zhvillim duhet të na bëjë të reflektojmë edhe në Kosovë. “Derisa vendet e rajonit po avancojnë në rrugën e tyre integruese, ne po vazhdojmë të mbetemi prapa për shkak të një mendësie qeverisëse destruktive dhe izolimit në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaron ish-kryeministri i Kosovës.
Ai uron Shqipërinë për këtë hap të rëndësishëm. ”Uroj që edhe Kosova ta rikthejë perspektivën për integrim euroatlantik, e jo të shohë se si të tjerët ecin përpara, ndërsa ne vazhdojmë të ngecim”, është shprehur Haradinaj.

