PS dhe LSI apel qytetarëve: Shfrytëzoni kohën dhe votoni
Ndërsa ka mbetur edhe 3 orë nga përfundimi i procesit zgjedhor, Partia Socialiste I ka bërë apel qytetarëve të shfrytëzojnë këto orë dhe të votojnë.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i PS-së Florian Seriani ftoi qytetarët që të votojnë për të vendosur fatin e tyre.
"Edhe 3 orë për të kryer detyrën më të lartë qytetare votimin! Edhe 3 orë për të vepruar me votë në emër të popullit sovran! Edhe 3 orë për të shkuar në qendrën e votimit pa asnjë shqetësim dhe për të votuar për drejtimin e vendit! Edhe 3 orë për të mos humbur mundësinë e madhe që demokracia i jep njeriut për të vendosur për fatin e vendit! Edhe 3 orë për të ngritur telefonin nëse ke votuar vetë dhe për të nxitur të afërmit, të njohurit, fqinjët, kushërinjtë, të bëjnë të njëjtën gjë, të votojnë! Vota është respekt për ata që luftuan për lirinë e saj. Vota është respekt për fëmijët që nuk votojnë dot. Vota është respekt për veten dhe vendin. Shkoni votoni dhe bëni gjithçka që të mos mbetet njeri pa votuar! Edhe 3 orë që sot vendosin jo për 4 vjet po për një gjeneratë! Shfrytëzojini këto orë për të votuar edhe për të mirën e fëmijëve, motrave e vëllezërve që s’kanë mundur të kthehen nga emigracioni. Mos harroni se ka plot prej tyre që kanë ardhur dhe kur ata kanë ardhur nga larg për të votuar, si të mos votoni ju që jeni pak qindra metra nga kutia e votimit! Shkoni votoni të qetë, të lirë, të duruar dhe ndjehuni krenar që kontribuat me votë për të ardhmen e Shqipërisë” tha ai.
Partia Socialiste ka dhënë edhe një mesazh të veçantë për Laçin e Kurbinin. “Qytetarë të Laçit e të Kurbinit, votoni, votoni, votoni. Viktima e pafajshme e mëngjesit tragjik kishte ardhur nga Greqia për të votuar. Votoni edhe për të. Votoni edhe në nderim të tij. Votoni pa frikë, sepse askush nuk ju prek as ju dhe as votën tuaj. Dilni masivisht nga shtëpitë dhe veproni me vote” ka përfunduar zëdhënësi i PS.
