Programi bërthamor i Iranit shtyhet përtej 30 qershorit
Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit me shumë gjasa do të shtyhet pas 30 qershorit, afatit të vendosur fillimisht nga gjashtë superfuqitë në muajin mars, para se të nënshkrohej marrëveshja paraprake që kufizonte nivelin e pasurimit të uraniumit nga ana e Republikës Islamike.
Edhe pse plani ishte që marrëveshja përfundimtare të nënshkruhej në kohë, ministri i jashtëm Iranian, Mohamed Zarif, do të largohet nga Viena për t'u këshilluar me eprorët e tij në Tehran, ndërsa palët pranuan se ka pasur mendime të ndryshme gjatë negociatave.
Vendimi ka zhgënjyer përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Federika Mogerini, e cila deklaroi nga Viena në fillim të ditës se marrëveshje ishte ende e mundshme të mbyllej brenda afateve, por ministri i jashtëm britanik, Filip Hamond, pjesmarrës në negociata, tha se kishte mospajtim edhe në parametrat për të cilat ishte rënë dakord në marrëveshjen paraprake.
Problem përbën gjithashtu koha e heqjes së sanksioneve ndaj Iranit dhe mbi mënyrën se si do të monitorohet aktiviteti bërthamor i vendit për të siguruar që nuk do të ketë devijime nga Tehrani. Prej 12 vitesh, perëndimi dhe Irani janë të ndarë për shkak të programit bërthamor, të cilin udhëheqësit iranianë pretendojnë se po e zhvillojnë vetëm për përdorim në energji, ndërsa SHBA, BE dhe veçanërisht Izraeli thotë se po përdoret për ndërtimin e armatimeve bërthamore.
