Xhixho: Rezoluta e PE-së tregon qartë që Shqipëria mbahet peng nga korrupsioni

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka lëshuar akuza të rënda drejt kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si shkelësin më të madh të ligjeve dhe shkatërruesin e institucioneve demokratike në vend.
Bazuar në rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian, e cila u konsiderua si një skaner politik i situatës, Xhixho theksoi se Evropa e ka tashmë të qartë rolin e qeverisë në mbrojtjen e narkotrafikut, shkatërrimin e standardeve zgjedhore dhe kapjen e shtetit.
Sipas saj, rezoluta e PE-së evidenton dëmtimin e rëndë të shtetit ligjor, ku institucionet i shërbejnë pushtetit dhe jo qytetarëve, si dhe rritjen e presionit ndaj lirisë së medias.
Një theks i veçantë iu vu ndryshimeve ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, për të cilat kërkohet shfuqizimi i menjëhershëm.
Xhixho konfirmoi se këto ndryshime tashmë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, ndër kërkesat e rezolutës përmendet vendosja e një moratoriumi për zonat e mbrojtura dhe anulimi i ligjit për investimet strategjike, i cili u denoncua si një mekanizëm për tjetërsimin e pasurisë publike në favor të personave pranë pushtetit.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, ajo bëri thirrje për protesta masive, duke ftuar qytetarët t'i bashkohen rezistencës.
Erisa Xhixho paralajmëroi se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas në mbrojtjen e interesit publik, duke kërkuar një qeveri që punon për njerëzit dhe jo për një grusht individësh të lidhur me pushtetin.
Erisa Xhixho: Rezulton qartë se është shkelësi më i madh i ligjeve dhe përgjegjësi kryesor i shkatërrimit të institucioneve demokratike. Sot e gjithë Evropa e ka të qartë që mbrojtësi i grupeve të narkotrafikut është Edi Rama. Se përgjegjësi për shkatërrimin e standardeve të zgjedhjeve është Edi Rama.
Se personi që ka lejuar përfitimin dhe plaçkitjen e pronës publike dhe private është Edi Rama, dhe përfituesi i atij korrupsioni dhe kapjes së shtetit është kryeministri Rama, ndërkohë gjithashtu dhe cënuesi më i madh i lirisë së medias dhe ushtrimit të presionit të vazhdueshëm ndaj saj. Rezoluta e Parlamentit Europian është një skaner politik që tregon qartë që Shqipëria mbahet peng nga korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe keqqeverisja e Edi Ramës.
Ajo evidenton se është dëmtuar rëndë shteti ligjor dhe që institucionet janë vënë në shërbim të pushtetit dhe jo të qytetarëve. Gjithashtu amendamentet e parashikuara nga kjo Kushtetutë shprehin qartë faktin se do duhet të shfuqizohet në mënyrë të menjëhershme të gjitha ato ndryshime që u bënë me ligjin në 2024-ën për ligjin për zonat e mbrojtura, që ne e kemi kundërshtuar me votë, e kemi çuar dhe në Gjykatë Kushtetuese. Gjithashtu rezoluta flet qartë për vendosjen e një moratoriumi për zonat e mbrojtura, derisa Shqipëria të ketë një përqasje të plotë të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Rezoluta kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të ligjit për investimet strategjike, që u përdor si një mekanizëm për marrjen e pasurisë publike dhe dhënien e një grushti njerëzish pranë qeverisë. Në këtë situatë e vetmja zgjidhje është protesta e madhe dhe e jashtëzakonshme e qytetarëve të lirë, të cilët kanë një mbështetje mbarëpopullore nga qytetarët duke adresuar të gjitha shqetësimet dhe padrejtësitë që ata vuajnë çdo ditë për shkak të kësaj qeverisjeje. Ndërkohë që qytetarët vuajnë pasigurinë, janë në kulmin e një varfërie ekstreme, vuajnë emigracionin e familjarëve të tyre, të vetmit që jetojnë në luks është Edi Rama dhe qeveria e tij.
Mesazhi i Parlamentit Europian është fare i qartë, qeveria do të duhet të japë llogari dhe vendi do duhet të rikthejë standardet demokratike, institucionet demokratike në vend. Opozita do të vazhdojë e pandalur në denoncimin e çdo vendimmarrjeje që cënon interesin publik dhe absolutisht asnjë hap pas në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që vepron dhe vendos interesin e qytetarëve dhe jo të një grushti njerëzish. Faleminderit!


