Deklarata për Japoninë i kushton shtrenjtë Van der Vaart-it: Më vjen sinqerisht keq!

Deklarata për Japoninë i kushton shtrenjtë Van der Vaart-it:

Ish-futbollisti i njohur holandez Rafael van der Vaart është detyruar të kërkojë falje publike pas një komenti të bërë gjatë analizës së ndeshjes mes Holandës dhe Japonisë në Kupën e Botës, që përfundoi në barazim 2-2.

Van der Vaart, i cili aktualisht punon si komentator për transmetuesin publik holandez NOS, u ndal te paraqitja e mbrojtësit Micky van de Ven dhe, duke komentuar golin e barazimit të Japonisë nga një goditje këndi, bëri një batutë që shkaktoi reagime të shumta.

“Sigurisht, lojtarët japonezë ngjajnë të gjithë me njëri-tjetrin, ndoshta Van de Ven e mendoi këtë... natyrisht është një shaka”, tha ish-mesfushori gjatë transmetimit televiziv.

Deklarata u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u kritikua nga shumë përdorues, të cilët e konsideruan komentin të papërshtatshëm dhe ofendues ndaj japonezëve.

Përballë reagimeve, ish-lojtari i Real Madrid, Tottenham Hotspur dhe AFC Ajax publikoi një deklaratë ku sqaroi se nuk kishte pasur asnjë qëllim racist apo diskriminues.

“E kuptoj që disa njerëz i kanë konsideruar fjalët e mia fyese. Më vjen sinqerisht keq. Nëse kam ofenduar dikë, kërkoj falje. Nuk ishte aspak qëllimi im”, u shpreh Van der Vaart.

Ai shtoi se respekton njerëzit e çdo kombësie dhe prejardhjeje, duke theksuar se i merr seriozisht reagimet e publikut dhe se e kupton që fjalët mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.

Ngjarja ka rikthyer debatin mbi përgjegjësinë e figurave publike dhe komentatorëve sportivë për gjuhën që përdorin gjatë transmetimeve, veçanërisht në evente me audiencë globale si Kupa e Botës.

EMISIONET