INSTAT: Rritje e pagave dhe shitjeve në shërbime, e nxitur nga pasuritë e paluajtshme, turizmi dhe tregtia

INSTAT: Rritje e pagave dhe shitjeve në shërbime, e nxitur nga

Sektori i shërbimeve vijoi zgjerimin gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke reflektuar një ecuri pozitive si në rritjen e pagave të punonjësve ashtu edhe në shtimin e shitjeve neto në volum, të mbështetur kryesisht nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, turizmit dhe tregtisë.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, pagat janë rritur në pjesën më të madhe të aktiviteteve të shërbimeve.

Rritja më e lartë është regjistruar në pasuritë e paluajtshme me 35%, të ndjekura nga hotelet me 22%.

Rritje të ndjeshme është shënuar gjithashtu në agjencitë e udhëtimit me 20,5%, aktivitetet e sigurimit dhe hetimit me 14,8%, tregtia me 14,6%, si dhe bar-restorantet me të njëjtën përqindje.

Në rritje paraqiten edhe informacioni dhe komunikacioni me 10,4%, aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit me 6,1% dhe transporti e magazinimi me 1,2%.

E vetmja rënie është regjistruar në administrimin e zyrave dhe shërbimet mbështetëse, me 6,5%.

Edhe indeksi i shitjeve neto në volum ka shënuar rritje në disa nga degët kryesore të shërbimeve.

Rritjet më të forta janë regjistruar në pasuritë e paluajtshme me 31,5%, hotelet me 12,6% dhe bar-restorantet me 8,4%. Tregtia është rritur me 4,6%, ndërsa agjencitë e udhëtimit me 1,9%.

Në kahun tjetër, ulje janë regjistruar në transport dhe magazinim me 3,8%, informacion dhe komunikacion me 1,6% dhe në administrimin e zyrave dhe mbështetjen administrative me 5,4%.

Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, rritje të lehtë kanë shënuar hotelet dhe bar-restorantet, ndërsa transporti, magazinimi dhe disa shërbime të informacionit kanë pësuar rënie të lehta.

EMISIONET