Tensionet në Parlament, reagon edhe ambasadori gjerman: Shumica dhe opozita të bashkëpunojnë në Kuvend
Pas ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, për tensionet në parlament ka reaguar edhe ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Në deklaratën e tij, ambasadori gjerman Bergner shprehet se po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.
Deklaratë e Ambasadorit Karl Bergner:
„Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.
Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike.
Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.
Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve.“