Teliti: Kjo nuk është qeverisje, ky është falimentim moral!

Mijëra pensionistë numërojnë qindarkat për të mbijetuar dhe nuk arrijnë të sigurojnë as nevojat më bazike, ndërsa qeveria e Edi Ramës vazhdon të shpërdorojë paratë e taksapaguesve për koncerte, spektakle dhe propagandë luksoze.
Anëtari i kryesisë së PD, Dorian Teliti akuzon qeverinë se, dhënia e 4 mln eurove për koncertin e Kanye West është shembulli më i qartë i një pushteti që ka humbur çdo ndjeshmëri ndaj qytetarëve dhe që ka vendosur fasadat mbi dinjitetin e njerëzve.
Sipas tij, kjo situatë është një "falimentim moral".
Reagimi i anëtarit të kryesisë së PD, Dorian Teliti:
Fakt: 87% e pensionistëve nuk ja dalin dot të paguajnë shpenzimet bazike me pensionin e tyre.
Ndërsa prindërit dhe gjyshërit tanë zvarriten për të shtyrë muajin me pensione qesharake, qeveria gjen miliona euro nga taksat tona për të paguar koncerte luksi, drita, skena dhe sfilata propagandistike.
Për fasada dhe show që zgjasin pak orë, paratë derdhen lumë, ndërsa për dinjitetin e atyre që ndërtuan këtë vend, xhepat e qeverisë janë gjithmonë bosh.
Ky nuk është thjesht dështim ekonomik. Ky është falimentim moral!
Nuk mund të ketë Shqipëri që shkëlqen nëpër ekrane, kur brezi që na rriti nuk siguron dot nevojat bazike të jetesës.
Mjaft me fasada mbi kurrizin e më të pamundurve!

