Rama prezanton kandidatët: Saranda, Konispoli, Finiqi dhe Delvina duhet të jenë bashkë
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me qytetarët në Sarandë për zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se Saranda, Konispoli, Finiqi dhe Delvina duhet të jenë të bashkuar, duke shtuar se më 14 maj fitorja është e sigurt.
“Për të gjithë ata që thonë nga vijnë lekët këtu, u them se ka një Shqipëri që punon shumë fort. Ne na intereson shumë që Saranda , Konispoli, Finiqi dhe Delvina të jenë bashkë. Është shumë e rëndësishme që edhe në Konispol dhe Finiq të këtë bashkëpunim.. Dua të thërras pak Kiçon dhe dua tu them se ky është greku më i mirë që njoh unë dhe drejtoi Finiqin për katër vite”, tha Rama.
Teksa ka prezantuar kandidatin për Bashkinë e Sarandës Olti Çaçin, ai tha se ka besim të plotë se do ta çojë përpara zhvillimin e qytetit.
“Na duhet dikush në bashki, që jo vetëm të jetë djali i mirë, jo vetëm të jetë vullnet mirë, por të jetë shumë më agresiv në raport me problemet dhe shumë më këmbëngulës në raport me punën sesa doktori. Kjo është gjëja që na duhet. Skam asnjë vëmendje me doktorin, për të shkuar deri këtu ishte doktori që na duhej, për të shkuar nga këtu tutje ka ardhur Olti. Ja kemi kërkuar ne, jo ai. Kjo ka shumë rëndësi”, tha ai.
Gjithashtu Rama tha se do ta kthejnë Sarandën në një magnet të turizmit në Mesdhe.
“Saranda sot nuk krahasohet me Sarandën dje, jo vetëm për atë që shohim, por edhe në atë që nuk shihet, pro që ne e dimë, ju e dini, Saranda po mbyll një plagë të tmerrshme të kanalizimeve që mungonin dhe ujërave të ndotura që derdheshin ku të mundej. Po garantojmë që kjo pasuri e madhe të rritet në vlerë. Ashtu sikundër kjo është fushata e parë në kujtesën time që kur janë bërë zgjedhjet vendore që ne nuk flasim më për ujë të pijshëm, se kemi bërë një transformim shumë të madh. Sot duhet të bëjmë edhe investimet e fundit, për të rritur burimin e ujit për Sarandë. Saranda garantohet që të ketë ujë 24 orë dhe të ketë një burim të sigurt. Se ujësjellësi është shtruar kudo, por na duhet një burim plus. Porti i ri turistik që po bëhet në anë tjetër, besoj se duhet shoqëruar edhe me transformimin e portit turistik këtu brenda gjirit të qytet, për ta bërë Sarandën një nga magnetet më të forta tërheqëse të Mesdheut”, tha Rama.
Më tej Rama shtoi: Stefani kaq qenë kryetari i bashkisë, kam kujtime shumë të mira me Stefanin. Ka qenë shumë i rëndësishëm në këtë proces ndryshimesh. Ka qenë kryebashkiaku që solli një kulturë pune dhe pastërtie për Sarandën. Stefani është në këmbë ditën dhe natë, dhe kurrë se kam parë që të ulet të thotë u lodha. Stefani është anëtari perfekt i familjes tonë politike.