PS, 6-0 në Fier, Balla zbulon synimin për zgjedhjet e ardhshme: Duam 11 mandate në Fier në 2025

Drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla i është përgjigjur raportit të OSBE-ODIHR-it që tregonte se  kandidatët mundën të zhvillonin fushatën për 14 majin lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet vendore u përmendën pak në fushatë.

Në daljen para mediave ku tregoi mbështetje për kandidatët socialistë dhe këshilltarët bashkiak, Balla tha se vëzhguesit ndërkombëtar duhet të monitorojnë me vëmendje terrenin se kanë zhvilluar kudo takime me qytetarët.

“Dua të kthej një përgjigje për raportin e OSBE-ODIHR që në këtë fushatë nuk u pa të flitej për çështjet e komuniteteve, nuk e di në cilat takime kanë qenë. Ne do t’ua vëmë në dispozicion.

Nëse monitorojnë mediat, kjo është çështje tjetër. Ajo çfarë ka ndodhur në media s’ka të bëjë me terrenin. Ftoj të kontaktojnë 1 fshat të vetëm ku kemi qenë për takim dhe për punët që do bëhen. Ky ka qenë diskutimi kryesor i fushatës. Nuk është përgjegjësia jonë që fitorja e PS ishte kaq e thellë”, tha Balla.

Teksa përmendi fitoren e thellë të PS në qarkun e Fierit, Balla dha mesazhin se në vitin 2025, objektivi do të jetë që socialistët të arrijnë të marrin 11 mandate.  Po ashtu dha një mesazh për numëruesit që po vijojnë të numërojnë për këshilla bashkiak duke thënë se duhet të zbatojnë ligjin në mënyrë korrekte.

“PS do të ketë 2/3 e mandateve në Këshillin Bashkiak. Ky është një rezultat që nuk e kemi pasur asnjëherë në këto 32 vite kur bie fjala për shumicën në Këshillin Bashkiak. Edhe në bashkitë e tjera ku vijon ende numërimi, psh në Divjakë sapo ka nisur në mëngjes dhe kjo është arsyeja përse Josifi nuk është këtu me ne se meraku im është që i gjithë procesi i numërimit të shkojë me kujdes dhe deri në fund.

I kërkoj numëruesve që të zbatojnë ligjin në mënyrë korrekte dhe asnjë votë e asnjë subjekti të mos preket dhe korrektësia e këtij rezultati të mbahet mend në fund të këtij procesi. Edhe pse e dimë që ka proces rinumërimi në 1/10 e QV që çdo gjë të jetë transparente.

Në Lushnje do kemi shumicë të madhe, mbi 55% do jenë të PS në Këshill. Edhe Patos po kështu, edhe në Roskovec. Sa i përket rezultateve për kandidatët, s’besoj që ka nevojë për koment.

Patosi u fitua me rezultat bindshëm si asnjëherë tjetër. Lushnja dua ta falenderoj Eriseldën për pounën e shkëlqyer që bëmë brenda 1 viti. Mallakastra ishte betejë e vështirë prej përdorimit nga ana e konkurrentit të të gjitha mënyrave dhe do t’i thoja edhe problematikave që krijoi por kjo i takon organeve ligjzbatuese”, tha Balla.

EMISIONET