Kim takon prokurorët e SPAK: Tregoni që askush s’është mbi ligjin!
"Askush nuk është mbi ligjin!" Ky ishte mesazhi i shpërndarë nga ambasadoria Yuri Kim gjatë një fotoje të shpërndarë në rrjete sociale me prokuroret e SPAK-ut. Sipas ambasadores, SHBA mbështet fort reformën në drejtësi prandaj është koha të shtohen përpjekjet për ti dhënë fund metodave të tjetra të pandëshkueshme.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, takoi prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK, teksa ka ndarë edhe mesazhe në të cilat në thelbin e tyre ishte përballja më krimin dhe korrupsionin.
“Ishte nder të ftoja prokurorët e SPAK-ut në Shtëpinë Ryerson. Shprehim falënderime dhe respekt për këta prokurorë të jashtëzakonshëm, për guximin dhe profesionalizmin e tyre në përballjen me korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë këtyre tre viteve".
Ambasadorja shton se SPAK gjithjë e më shumë po jep rezultate ku tregon se askush nuk është mbi ligjin.
"Tani është koha të shtohen këto përpjekje dhe t’u jepet fund mënyrave të vjetra të pandëshkueshmërisë. SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se askush – sado i pasur apo i fuqishëm – nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fort reformën në drejtësi, përfshirë SPAK-un, sepse ne duam një aleat që është i fortë, i sigurt dhe i begatë dhe sepse ne besojmë – siç besojnë edhe shqiptarët – që Shqipëria e ka vendin në BE”- shkroi Ambasadorja.
Ky takim i Ambasadores me prokurorët e SPAK vjen pas përfundimit të zgjedhjeve për kryetar bashkie.
Kujtojmë këtu se në SPAK, figura të rëndësishme të politikës por edhe kandidatë në këto zgjedhje vendore kanë qenë subjekt i marrjes së deklarimeve për vepra të ndryshme penale.
Një tjetër dosje që ka të bëjë me krimet zgjedhore, të cilën SPAK do ta hetojë, është ajo e kandidatit fitues të koalicionit Bashkë Fitojmë në Himarë, Fredi Beleri, i cili u arrestua me 12 maj.