Si e shpëtoi Trifon Muratajn, 'Xhepi i ryshfeteve': 2 tonë kokainë, por 'Bana King' ishte 'viktimë'

Si e shpëtoi Trifon Muratajn, 'Xhepi i ryshfeteve': 2 tonë

Gjyqtari Rexhep Bekteshi, 70 vjeç, i njohur si 'Xhepi i ryshfeteve' prej 33 vitesh, e shpalli të pafajshëm trafikantin Trifon Murataj për 33.5 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit (nëntor 2022); duke e konsideruar 'viktimë' të rrjeteve ndërkombëtare. Prokuroria nuk e apeloi. Murataj, prej 2 vitesh në kërkim për një tjetër dosje droge, ndodhej i lirë në sallë. Kontenierët e 'Bana King' nuk kontrollohen më, pavarësisht raporteve të DEA-së e EUROPOL-it.
Me një vendim absurd dhe duke fshehur provat, gjyqtari i Durrësit, 70-vjeçari Rexhep Bekteshi, ka nxjerrë të pafajshëm trafikantin Trifon Murataj, megjithëse në vitet 2021-2024, në 4 raste i janë kapur rreth 2 tonë kokainë në total, të fshehur në arka bananesh te kontenierët e kompanisë së tij "Bana King".

Gjyqtari Rexhep Bekteshi, ose "Xhepi i ryshfeteve", siç njihet prej 33 vitesh nga kolegët në Gjykatën e Durrësit dhe nga ata që u çon halli te "çekiçi" i tij, më 23 qershor 2026 rrëzoi akuzat ndaj trafikantit Trifon Murataj dhe kompanisë së tij "Bana King".

Vendimin e mori në heshtje dhe tashmë ka marrë formën e prerë të pafajësisë së trafikantit Trifon Murataj, ngaqë çuditërisht vendimin nuk e ankimoi në Apel as prokuroria e Durrësit që kishte ngritur akuzën me prova.

Ky hetim i përkiste rastit të dytë të 33.5 kilogramë kokainë të kapur mbrëmjen e 3 nëntorit 2022 në kontenierët e kompanisë "Bana King" në Portin e Durrësit, të faktuar me pamje skanimi e fotografi fizike të qeseve me kokainë në arkat e bananeve.

Por gjyqtari dhe prokuroria e Durrësit dolën në përfundimin se kompania "Bana King", pronari i saj Trifon Murataj dhe punonjësit e tij nuk ishin përfshirë në trafikimin e kokainës që ishte gjetur në kontenierët e bananeve.

Sipas vendimit të gjyqtarit "Xhepi" dhe dakordësisë së prokurorisë, kompania "Bana King" dhe pronari Trifon Murataj "ishin viktimë të rrjeteve kriminale ndërkombëtare të trafikut të drogës, që përdorin qëllimisht dhe fshehurazi mjetet e kompanive të ndershme të importit të bananave, siç është 'Bana King', për të kaluar kokainë nga Amerika Latine në Europë dhe në Durrës."

Skandali thellohet më tepër me faktin që në vendim thuhet se gjoja pronari i "Bana King", Trifon Murataj, kishte njoftuar paraprakisht policinë për rrezikun e ekzistencës së kokainës në arkat me banane.

Kur vetë policia e çoi raportin në prokurori me fakte konkrete, madje dhe hetuesit e BKH-së, DEA-së e EUROPOL-it raportuan për trafikimin e kokainës që bënte dhe bën Trifon Murataj nëpërmjet kontenierëve të kompanisë së tij "Bana King".

Skandali tjetër është ky: Trifon Murataj ishte prezent në seancën gjyqësore si person i lirë, megjithëse prej afro 2 vitesh është në kërkim për një hetim tjetër trafikimi droge dhe shkelje të rregullave në punë, por, siç kuptohet, edhe këto çështje i janë pushuar në heshtje.

Pra, gjyqtari 70-vjeçar Rexhep Bekteshi i hoqi "njollat" e trafikimit të kokainës kompanisë "Bana King" dhe pronarit Trifon Murataj; provë që dëshmon se shteti nuk e prek, për arsye që i dinë shefat e policisë, prokurorisë, gjykatave dhe vartësit që ata përdorin për t'i pushuar çështjet.

Prej 5 vitesh, qysh kur në kontenierët e "Bana King" është kapur ngarkesa e parë me 119 kg kokainë, SPAK i ka transferuar hetimet në prokuroritë e rretheve Durrës e Tiranë, kur është kompetencë e tij të hetojë krimin e organizuar në zbatim të detyrës për të cilën është krijuar dhe në zbatim të ligjit Anti-mafia.

Por, siç kuptohet, Trifon Murataj i "Bana King" qenka aq më i fuqishëm se shteti, sa sipas informacioneve, nga policia, kontenierët e "Bana King" në Durrës, prej 2 vitesh nuk skanohen e nuk kontrollohen fizikisht as kur informojnë DEA e EUROPOL; dhe i raportojnë sikur janë "të pastër"./Pamfleti

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "Pamfleti" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "Pamfleti". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EMISIONET