Tragjedi e rëndë në Ohio/ Pesë persona vd*sin gjatë një përpjekjeje shpëtimi në lumë

Tragjedi e rëndë në Ohio/ Pesë persona vd*sin gjatë

Sipas stacionit lokal WMAR-2, ngjarja ndodhi të dielën në lumin Scioto, në periferi të Powell, pranë qytetit të Columbus, ku një grup njerëzish ishte mbledhur për të kaluar ditën e pushimit.

Sipas Sherifit të Qarkut Delaware, Jeffrey Balzer, gjithçka nisi kur një anëtar i grupit hyri në lumë për të notuar dhe papritur hasi vështirësi.

“Nga ai moment, tragjedia filloi të zhvillohej”, deklaroi sherifi, duke shpjeguar se persona të tjerë u hodhën në ujë për ta ndihmuar, por edhe ata u rrëmbyen nga rryma.

Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje gjetën dy gra në lumë të dielën. Ato u transportuan me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën t’u shpëtonin jetën.

Kërkimet vijuan edhe të hënën, kur autoritetet nxorën nga lumi trupat e tre burrave të tjerë, duke e çuar në pesë numrin e përgjithshëm të viktimave.

Autoritetet u njoftuan për ngjarjen pasi një shofer kalimtar telefonoi në numrin e emergjencës 911, pasi pa një fëmijë të tmerruar duke vrapuar i vetëm në rrugë dhe duke kërkuar ndihmë.

Sipas autoriteteve, dy fëmijë nën moshën 10 vjeç i mbijetuan tragjedisë dhe janë vendosur përkohësisht nën kujdesin e shërbimeve sociale derisa të merren nga të afërmit. Mes tyre ndodhet edhe fëmija që arriti të largohej nga zona dhe të njoftonte për atë që kishte ndodhur.

Autoritetet lokale vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që i mori jetën pesë personave gjatë një përpjekjeje për të shpëtuar një tjetër.

EMISIONET