SHBA ndalon financimin e programeve për HIV-in në Afrikën e Jugut

SHBA ndalon financimin e programeve për HIV-in në Afrikën e Jugut

Qeveria amerikane ka njoftuar se do të ndërpresë financimin e programeve në Afrikën e Jugut, që synojnë luftimin e përhapjes së HIV/AIDS, raportoi BBC.

Në vend jetojnë mbi 8 milionë persona me HIV, shifra më e lartë në botë.

Deri tani, SHBA-ja ka kontribuar rreth 400 milionë dollarë në vit, përmes programit “Pepfar”, duke mbuluar rreth një të pestën e shpenzimeve totale për këto programe.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e lidhi vendimin me “mungesën e progresit” të Afrikës së Jugut, në kërkesat e administratës dhe nevojën për “vetëmjaftueshmëri”, duke argumentuar se vendi ka kapacitet ekonomik, për të financuar vetë sistemin e tij shëndetësor.

Nga ana tjetër, Pretoria zyrtare (kryeqyteti administrativ i Afrikës së Jugut), nuk ishte njoftuar paraprakisht dhe thekson se programet jetike të trajtimit me antiretroviralë financohen kryesisht nga shteti.

Qeveria ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e mëparshme të Uashingtonit, për diskriminim racial dhe pretendimet për “persekutim të afrikanerëve”.

Vendimi vjen në një moment tensionesh të rritura mes dy vendeve, të ndikuara nga mosmarrëveshje politike dhe diplomatike. 

EMISIONET