Berisha: Mbështesim plotësisht protestën, 5 kërkesat e protestuesve, kanë qenë dhe janë edhe beteja tonat

Sali Berisha ishte në komunikim me mbështetësit e tij në rrjetet sociale në të njëjtën kohë kur kryeministri Edi Rama, nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, artikulonte përgjigjet e tij për kërkesat e protestës së nisur fillimisht kundër projektit turistik në Zvërnec.
Kryedemokrati akuzoi kreun e qeverisë si përgjegjës për krizën politike dhe këmbënguli se zgjidhja mbetet largimi i tij nga pushteti.
Sipas Berishës, zgjidhja duhet të vijë përmes një qeverie teknike jopartiake, e cila do të përgatisë zgjedhje të reja.
Dosja e Zvërnecit, sipas Berishës, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës, për të cilin ai pretendon se mashtroi kompanitë dhe lëshoi lejen e ndërtimit në janar të këtij viti.
Një përgjigje kishte edhe për akuzat që i bëhen gjatë protestave.
Duke konfirmuar mbështetjen për protestën, Berisha tha se pesë kërkesat e qytetarëve përbëjnë gjithashtu një betejë politike të Partisë Demokratike.

