Të paktën 11 viktima nga sulmet izraelite në Libanin jugor, pavarësisht armëpushimit

Të paktën 11 persona janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, më pak se 24 orë, pas shpalljes së një armëpushimi të ri mes Izraelit dhe Hezbollahut, raportoi BBC.
Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve, avionë luftarakë, dronë dhe artileria izraelite goditën më shumë se 12 zona, kryesisht pranë qytetit Nabatieh.
Ushtria izraelite deklaroi se sulmet kishin në shënjestër objektiva të Hezbollahut, pasi grupi kishte lëshuar mbi 50 raketa drejt forcave izraelite në Libanin jugor.
Një zyrtar i lartë i Hezbollahut, Hassan Fadlallah, tha se grupi rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur sulmeve izraelite, duke kërkuar që Izraeli të respektojë plotësisht armëpushimin.
Ndërkohë, SHBA-ja ka shprehur shqetësim për vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, duke paralajmëruar se ato mund të rrezikojnë marrëveshjen e paqes me Iranin.
Sipas raportimeve, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të zhvillojë bisedime me Iranin për të konsoliduar marrëveshjen.
Konflikti u përshkallëzua në mars, kur Hezbollahu nisi sulme me raketa ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli reagoi me një fushatë bombardimesh në Liban.
Aktualisht, Izraeli kontrollon rreth 5% të territorit të Libanit jugor, ndërsa rreth një milion njerëz mbeten të zhvendosur nga luftimet.

