Trump ndal sulmet ndaj Iranit, SHBA 'hap derën' për diplomaci pas 13 netësh b*mbardime

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një pauzë në sulmet ndaj Iranit, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump po i jep më shumë hapësirë përpjekjeve diplomatike.
Lëvizja vjen pas 13 netësh operacionesh ajrore kundër objektivave iraniane, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, bëri të ditur se ndalimi i përkohshëm i sulmeve synon të krijojë mundësi për negociata dhe një zgjidhje përmes dialogut.
“Presidenti po u jep pak hapësirë bisedimeve”, tha Waltz për programin “Fox News Sunday”, duke sqaruar se administrata amerikane po vlerëson mundësinë e një rruge diplomatike.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës Trump, presidenti amerikan ka preferuar gjithmonë diplomacinë si mënyrë për zgjidhjen e krizave, por sulmet e fundit ndaj Iranit kanë shërbyer si një paralajmërim për Teheranin.
Zyrtari amerikan u shpreh se SHBA kërkon që Irani të ulet në tryezën e bisedimeve në mënyrë serioze, ndërsa paralajmëroi se refuzimi i diplomacisë mund të sjellë pasoja të tjera.
Pauza në operacionet ushtarake vjen në një periudhë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku Uashingtoni dhe Teherani vijojnë përplasjet për çështjet e sigurisë dhe programin ushtarak iranian.


