Marrëveshja 302 milionë dollarëshe me SHBA/ Balla: A*mët e para mbërrijnë në Shqipëri që në shtator
Pas votimit në Kuvend të marrëveshjes për financimin 302 milionë dollarë nga SHBA, Taulant Balla bëri të ditur se pajisjet e para të parashikuara në këtë paketë pritet të nisin të mbërrijnë në Shqipëri që në muajin shtator.
Sipas tij, marrëveshja synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe vjen në një periudhë kur situata e sigurisë në Europë është përkeqësuar ndjeshëm.
“Interesat e vendit dhe siguria kombëtare janë mbi çdo procedurë”, u shpreh Balla, duke iu referuar debatit për mënyrën e shqyrtimit të marrëveshjes në Parlament.
Kreu i grupit parlamentar socialist përmendi edhe elementët e sekretit që shoqërojnë disa pjesë të dokumentit, për shkak të natyrës së pajisjeve dhe çështjeve të mbrojtjes.
Ai përgëzoi institucionet e përfshira në negociimin e marrëveshjes, duke përfshirë qeverinë, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas Ballës, nëse bëhet një krahasim me historikun e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, kjo marrëveshje përfaqëson një nga mbështetjet më të mëdha në fushën e sigurisë në 35 vitet e fundit dhe një moment të rëndësishëm në 104 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve.


