Biçikleta nuk fal neglizhencën, këto kontrolle të thjeshta mund t’ju kursejnë para dhe rrezik

Biçikleta nuk fal neglizhencën, këto kontrolle të thjeshta

Një biçikletë e mirëmbajtur nuk siguron vetëm një udhëtim më të rehatshëm, por edhe më të sigurt. Zinxhiri që kërcet, frenat që nuk reagojnë siç duhet apo gomat e konsumuara mund të duken probleme të vogla, por me kalimin e kohës mund të kthehen në riparime të kushtueshme dhe rrezik për çiklistin.

Shumë persona e nxjerrin biçikletën nga garazhi ose bodrumi vetëm kur temperaturat rriten dhe shpesh zbulojnë se pas muajsh pa përdorim ajo nuk funksionon si më parë. Edhe biçikletat e lëna jashtë në shi dhe lagështi kanë nevojë për kontroll të plotë përpara se të rikthehen në rrugë.

Kontrollet bazë mund të bëhen edhe në shtëpi, si fryrja e gomave, pastrimi i zinxhirit dhe verifikimi i frenave. Për probleme më të ndërlikuara, ndërhyrja e një servisi mbetet zgjedhja më e sigurt.

Zinxhiri, frenat dhe gomat janë pjesët që kërkojnë më shumë vëmendje
Një nga problemet më të zakonshme është zinxhiri i thatë ose i ndryshkur. Edhe pse biçikleta mund të vazhdojë të lëvizë, mungesa e lubrifikimit rrit fërkimin dhe dëmton gradualisht pjesët metalike.

Një pastrim i rregullt dhe disa pika vaj të posaçëm mund të zgjasin jetën e zinxhirit. Por përdorimi i tepërt i vajit mund të sjellë pasoja të tjera, pasi mbledh papastërti dhe mund të njollosë rrobat gjatë ecjes.

Problemi bëhet më serioz kur zinxhiri është konsumuar plotësisht, pasi mund të dëmtojë edhe dhëmbëzorët dhe pjesët e tjera të transmetimit, duke rritur koston e riparimit.

Edhe sistemi i frenimit kërkon kontroll të vazhdueshëm. Jastëkët e konsumuar ulin fuqinë e ndalimit dhe në raste të caktuara mund të dëmtojnë edhe rrotat. Frenat me disk kanë nevojë për më pak mirëmbajtje, por edhe ato humbasin efektivitetin kur pjesët konsumohen.

Gomat e vjetra rrisin rrezikun në rrugë
Gomat janë një tjetër element që shpesh neglizhohet. Edhe nëse nuk janë shpuar, ato konsumohen me kalimin e kohës, sidomos kur biçikleta qëndron gjatë jashtë.

Çarjet e vogla në sipërfaqe, humbja e elasticitetit dhe ulja e kapjes me rrugën janë shenja se goma duhet të zëvendësohet.

Një gomë e konsumuar rrit mundësinë e shpimeve dhe mund të shkaktojë probleme gjatë lëvizjes me shpejtësi më të madhe.

Ndërrimi i gomave është një proces që mund të bëhet edhe vetë me mjetet e duhura, por shumë çiklistë zgjedhin serviset për të shmangur gabimet gjatë montimit.

Mungesa e mirëmbajtjes po largon njerëzit nga çiklizmi
Përveç problemeve teknike, një pengesë tjetër për përdorimin e biçikletave lidhet me aksesin në servise dhe shërbime mirëmbajtjeje.

Një studim me rreth 25 mijë pjesëmarrës në Europë ka treguar se shumë përdorues hasin vështirësi për riparimin dhe mirëmbajtjen e biçikletave. Një pjesë e tyre përpiqen t’i rregullojnë vetë problemet, ndërsa të tjerë zgjedhin ta përdorin më pak biçikletën ose heqin dorë fare nga çiklizmi.

Në disa vende problemi kryesor lidhet me mungesën e serviseve, ndërsa në vende të tjera me kohët e gjata të pritjes për një takim.

Mirëmbajtja e rregullt mbetet mënyra më e thjeshtë për të shmangur shpenzimet e panevojshme. Një kontroll i vogël sot mund të parandalojë një defekt të madh nesër dhe ta mbajë biçikletën funksionale për shumë më gjatë.

EMISIONET