Dokumenti/ Flauers Shoshi, drejtori i Ujësjellësit të Tiranës: tender për kontrollin mendor të zyrtarëve

Dokumenti/ Flauers Shoshi, drejtori i Ujësjellësit të

Më 20 korrik, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë shpalli tenderin për 'ristrukturim organizativ', por specifikimet zbulojnë se bëhet fjalë për kontroll neuropsikik e neurolinguistik të shefave dhe zyrtarëve, për të matur sjelljet, personalitetin dhe aftësitë mendore. 3 ekspertë psikometrie dhe 1 neurolinguist do të punojnë 5 muaj për të kontrolluar mendjen e tyre...
Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Flauers Shoshi, nuk po arrin të ndalojë e mbulojë korrupsionin, mungesën e furnizimit me ujë, qelbjen e disa zonave nga amortizimi dhe moskryerja e investimeve të plota, ngaqë nuk zbatohen projektet dhe vidhen fondet.

Por më 20 korrik 2026, ai ka shpallur procedurën e prokurimit publik, me objekt: "Ristrukturim dhe monitorim i vënies në zbatim të strukturës organizative të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë", me fond limit 11 milionë lekë me TVSH dhe datë zhvillimi më 3 gusht.

Nëse lexon vetëm emërtimin e kontratës, mendon se tenderi ka të bëjë me riorganizimin e strukturës së drejtimit dhe të burimeve njerëzore, me qëllim që në Ujësjellësin e Tiranës të ketë eficencë drejtim punësh dhe që Tirana të furnizohet me ujë të pijshëm "non stop".

Por kur lexon objektin e plotë të tenderit dhe dy specifikimet e tij, konstaton se shërbimi ka si objekt kontrollin neuropsikik dhe neurolinguistik të shefave dhe zyrtarëve të këtij ujësjellës-kanalizimesh, dhe do të kryhet gjatë 5 muajve shtator 2026 - janar 2027.

Dokumenti/ Flauers Shoshi, drejtori i Ujësjellësit të

Këto matje, të cilat në termat profesionalë quhen "Matje psikometrike", bëhen për të kontrolluar rëndesat psikologjike, shëndetin mendor dhe efektin vulgar që shkaktojnë në gjuhën e komunikimit me kolegët dhe qytetarët gjatë kohës së punës në zyra e në terren.

Sipas specifikimeve të tenderit, këtë kontroll psikomendor do ta kryejnë 3 ekspertë të psikometrisë, për të matur ngarkesën psikologjike të shefave dhe zyrtarëve të Ujësjellësit të Tiranës, për të matur sjelljet, qëndrimin, personalitetin dhe aftësitë mendore të tyre për të kryer detyrën.

Ndërsa 1 ekspert do të jetë i fushës neurolinguistike, që do të verifikojë etikën dhe nivelin e komunikimit të zyrtarëve, duke krahasuar matjet neuropsikike dhe të shëndetit mendor në përballimin e ngarkesave.

Nuk dihet nëse këto kontrolle të gjendjes mendore të zyrtarëve të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës do të kryhen se mund të ketë shenja për shkak të vapës apo panikut nga SPAK-u.

Por dihet që shefat dhe zyrtarët e kësaj kompanie shtetërore manifestojnë fjalor harbutëror ndaj qytetarëve që kërkojnë sqarime për vjedhjet me faturat fiktive dhe mungesën e ujit.

Por komunikim rrugaçëror ata përdorin dhe ndaj njëri-tjetrit kur kacafyten për poste, tenderë dhe ryshfete që u marrin bizneseve të mëdha e të mesme, të cilëve u faturojnë ujë me vlerë konsumi sa një familje.

Megjithëse ka konstatime për "shkarrje mendore", çudia qëndron në faktin se si i ka punuar mendja drejtorit Flauers Shoshi për të bërë këtë lloj tenderi specifik.

Apo, për të sajuar tenderë e kanë mendjen në rregull, ndërsa kur i kërkon dhe i arreston SPAK-u, bëjnë si të çmendur?/Pamfleti

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "Pamfleti" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "Pamfleti". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EMISIONET