Spanja nën valën e re e të nxehtit/ Flakët përpijnë 75 mijë hektarë tokë dhe rreziku rritet

Spanja nën valën e re e të nxehtit/ Flakët

Spanja po përgatitet për një tjetër periudhë me temperatura të larta, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin për rrezikun e përhapjes së zjarreve në pyje. Vala e re e të nxehtit pritet të nisë nga e mërkura dhe të zgjasë të paktën deri të dielën, duke sjellë kushte të vështira për ekipet që po luftojnë me vatrat aktive.

Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (Aemet) ka paralajmëruar se kombinimi i temperaturave ekstreme dhe erërave të forta mund të përkeqësojë ndjeshëm situatën, duke rritur mundësinë e përhapjes së shpejtë të flakëve.

Sipas Aemet, kushtet atmosferike në ditët e ardhshme do të krijojnë një terren të favorshëm për zhvillimin e zjarreve, ndërsa niveli i rrezikut pritet të arrijë nivele ekstreme në disa zona të vendit.

Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, i ka cilësuar ditët në vijim si vendimtare për përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret që kanë prekur zonat pranë Madridit.

Një nga vatrat më problematike mbetet zjarri në zonën “Western Sierra”, në rajonin e Madridit, i cili është shumë pranë një tjetër zjarri të madh në Ávila, pjesë e rajonit Castile-Leon.

Dy nga zjarret më të mëdha të raportuara në këto zona kanë djegur rreth 75 mijë hektarë tokë brenda pak ditësh. Sipërfaqja e prekur është rreth shtatë herë më e madhe se territori i Parisit, duke e renditur këtë situatë ndër episodet më të rënda të zjarreve që ka përjetuar Spanja.

Autoritetet vijojnë operacionet për izolimin e vatrave aktive, ndërsa vala e re e të nxehtit pritet ta bëjë edhe më të vështirë kontrollin e flakëve në ditët e ardhshme.

EMISIONET