Pallati u shkrumbua nga flakët, Balliu: Biznesmeni Armando Lilo që la banorët në qiell të hapur bën pushime në Maldive
Një tjetër skandal i rëndë ka dalë në dritë lidhur me ndërtimet në kryeqytet dhe papërgjegjshmërinë e kompanive ndërtuese. Pas rënies së zjarrit që shkrumboi një pallat në Tiranë, banorët, të cilët kanë paguar shifra marramendëse nga 2000 deri në 2500 euro për metër katror, janë lënë në qiell të hapur.
Sipas deklaratave të bëra publike jashtë dyerve të gjykatës nga deputeti demokrat Klevis Balliu, biznesmeni Armando Lilo, i përfshirë në këtë çështje, po shijon pushimet në Maldive në vend që t'u japë një zgjidhje klientëve të tij.
Akuza të forta janë ngritur jo vetëm për braktisjen e qytetarëve, por edhe për procesin e kolaudimit dhe hipotekimit të objektit. Dyshohet se në këto procedura mund të ketë pasur akte korrupsioni dhe ryshfete, pasi theksohet se kjo nuk është hera e parë që objektet e këtij individi përfshihen nga flakët.
Ndërkohë, ngrihet alarmi për rrezikun e vazhdueshëm ndaj jetës së banorëve që ende jetojnë në gjysmën tjetër të pallatit, e cila ka të njëjtën fasadë me material lehtësisht të djegshëm. Apelohet për evakuimin e menjëhershëm të këtyre familjeve për të shmangur një tragjedi të mundshme në të ardhmen.
Pavarësisht mungesës së një legjislacioni të qartë që ndalon materiale të caktuara në ndërtim, kjo ngjarje ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për ndryshime ligjore.
Thirrja kryesore mbetet që kompanitë ndërtuese të mbajnë përgjegjësi të plotë për produktin e tyre, të ndërpresin pushimet luksoze dhe të gjejnë një strehim të përshtatshëm për banorët e prekur.
Mbetet një paradoks i hidhur fakti se çmimet e apartamenteve në Tiranë janë barazuar me ato të metropoleve evropiane si Milano, ndërkohë që cilësia e sigurisë dhe infrastruktura ngelen në nivele kritike.
PRONONCIMI PËR MEDIAT
Klevis Balliu: Se do bëhen biznesmenë dhe ato nëpër kulla. Një nga ata, një nga ata është i përfshirë sipas këtyre burimeve që do duhet të faktohen edhe me Armando Lilon tek këto ndërtime.
Pati një vendim gjykate sot?
Klevis Balliu: Jo, sot jemi në vazhdimësi të procesit. Jemi njohur me disa akte të palës akuzuese, që është pala e Armando Lilos, i cili duhet të vijë të jetë këtu. Unë mendoj që pushimet në Maldive duhet të qetësohet, por mirë do ishte mos bënte pushime në Maldive, por t'i zgjidhte hallin qytetarëve që janë sot në qiell të hapur, sepse kanë blerë 2000 euro e 2500 euro metrin katror të Armando Lilo dhe i digjet pallati, sepse janë djegur dy kartona poshtë.
Zoti Balliu, më lejoni të bëj një pyetje. Si jeni dhe deputet, e njihni legjislacionin. Çfarë përgjegjësie juridike ka një kompani kur pallati është kolauduar, është çertifikuar, është hipotekuar, është shitur?
Klevis Balliu: Po. E para duhet parë njëherë në qoftë se janë ndjekur të gjithë proceset. E dyta, në qoftë se janë ndjekur të gjitha proceset, ka aty akte pagesash të padrejta. Pra, kemi korrupsion aty, kemi ryshfete aty, sepse nuk është hera e parë që digjen pallatet e këtij individi. Është hera e dytë. Dhe nuk them në asnjë moment që ky ka qenë qëllimi i tij që të digjet pallati, por ti duhet të mbash një përgjegjësi. Se në qoftë se unë vij dhe blej një çokollatë në një dyqan dhe çokollata del që është e prishur, unë vij ta kthej mbrapsht, apo jo? Dhe ti ke detyrimin ta marrësh dhe të ma ndërrosh. Dhe konkretisht ato ishin apartamente të skaduara. Dhe jo vetëm kaq i nderuar, po më lejo të të them që është djegur vetëm gjysma e pallatit. Gjysma tjetër e cila ka po të njëjtën fasadë, banorët vazhdojnë jetojnë aty. Herën e parë patëm fatin që nuk patëm humbje jete. A duhet të presim herën e dytë dhe të shpresojmë që mos të ketë përsëri humbje jete? Jo. Ato të gjithë banorët duhet të evakuohen nga aty dhe ky biznesmen që ka kohë të ndërtojë kulla dhe çdo gjë tjetër siç e patë, duhet të gjejë kohën të ndërtojë shtëpi dhe t'u gjejë vendin e përshtatshëm klientëve të tij që i kanë paguar apartamentet sa qimet e kokës. Se ju e dini më mirë se unë se si kanë shkuar çmimet këtu në Tiranë, që janë njësoj me Milanon, pavarësisht se rrugët i kemi si Bangladesh. Pra, në këtë aspekt, ai ka këtë përgjegjësi. Unë nuk e di, dhe të paktën me sa jam informuar unë, nuk ka në legjislaturën tonë një vendim apo një ligj që përjashton një material apo një material tjetër nga ndërtimi. Këtë unë nuk mund ta them. Deri në këtë moment nuk di të ketë një ligj në lidhje me materialet e ndërtimit. Dhe nëse nuk ka, duhet bërë. Dhe ky është një moment shumë i mirë. Po kjo nuk e justifikon shmangien nga detyra. Unë mendoj që një zotëri, një biznesmen i vërtetë, me dinjitet, nuk rrinte sot duke u ngrohur në diell, duke bërë plazh, por merreshe me këta banorë, se i ka klientë atje tek ai. Ju i mbani mend ato pamje, ishin të frikshme dhe nuk kemi pse të presim të tjera. Dhe po ju them, shumë mirë e gjen kohën zotëria që të bëjë kulla të tjera, po te këto kullat, a nuk mund të gjejë një kohë për të bërë ndërtimet për këta banorë që t'ju zgjidhi hallin?


