Marrëveshja Liban-Izrael në Uashington/ Çarmatimi i Hezbollahut vendoset si kusht për tërheqjen e ushtrisë izraelite

Është publikuar shtojca e sigurisë e nënshkruar nga Libani dhe Izraeli në Uashington, e cila lidhet me marrëveshjen kornizë mes dy vendeve dhe përqendrohet kryesisht te çarmatimi i Hezbollahut dhe grupeve të tjera të armatosura jo-shtetërore.
Dokumenti, i publikuar nga gazetarja Hiba Nasr dhe i konfirmuar nga media franceze L’Orient-Le Jour, përcakton një sërë hapash që lidhen me stabilizimin e situatës në jug të Libanit dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite.
Sipas shtojcës, tërheqja e ushtrisë izraelite nga jugu i Libanit do të varet nga çarmatimi i Hezbollahut dhe shkatërrimi i infrastrukturës së tij ushtarake nga ushtria libaneze.
Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes parashikohet krijimi i zonave pilot në jug të lumit Litani, ku ushtria libaneze do të marrë gradualisht kontrollin operacional nga forcat izraelite. Për këtë qëllim, do të ngrihet një strukturë e përbashkët koordinimi ushtarak mes dy vendeve.
Plani përfshin një proces me katër faza: neutralizimin e infrastrukturës së grupeve të armatosura, verifikimin nga një palë e tretë e dakorduar, vendosjen e ushtrisë libaneze në zonat e kontrollit dhe nisjen e rindërtimit të mbështetur nga ndihma ndërkombëtare.
Sipas dokumentit, Forcat e Armatosura Libaneze do të udhëheqin procesin e zbatimit, ndërsa suksesi do të vlerësohet mbi bazën e çarmatimit të verifikueshëm të grupeve të armatosura jo-shtetërore.
Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një grupi të përbashkët koordinimi që do të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme për menaxhimin e zbatimit dhe shmangien e përplasjeve në terren.
Në varësi të zbatimit të plotë të procesit, Izraeli do të kryejë tërheqje graduale të forcave të tij nga territori libanez.
Palët, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, do të zhvillojnë rishikime periodike të marrëveshjes dhe çdo ndryshim do të bëhet me dakordësi të ndërsjellë.


