Opozita zbret në shesh, Tirana në shtetrrethim/ 1200 efektivë në terren, bllokohen rrugët drejt bulevardit
1200 punonjës policie të reparteve të ndryshme janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e protestës së thirrur sot nga opozita. Pjesa më e madhe e tyre, do të vendosen në zonën e Kryeministrisë, ndërsa të tjerët do kufizojnë parkimet dhe qarkullimin në bulevard, si dhe do kontrollojnë personat që vijnë nga rrethet.
Mbahet sot protesta e opozitës. Qytetarët janë mbledhur nga të gjitha pikat kryesore dhe i janë afruar Bulevardit, teksa policia është bërë gardh para Kryeministrisë.
Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë ka thirrur shqiptarët sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’.
Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.
Berisha tha se kjo do të jetë një protestë kundër Ramës, duke e cilësuar një revolucion demokratik që do të çojë sipas tij drejt dorëheqjes së kryeministrit.
Ora 12:23- “Dita me diell duket që në mëngjes!”, Meta: Ramën nuk e shpëton asgjë!
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga selia e Partisë së Lirisë dhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka dhënë dhe një mesazh për qytetarët.
“Dita me diell duket që në mëngjes! Asgjë nuk i shpëton krimin dhe korruptuesin. Asgjë s’e shpëton. Mesazhin e sotëm e jep populli. Edi Rama është i rrëzuar. E di që është një fajtor dhe që nuk do t’i shpëtojë dot llogaridhënies. Është një fillim pakti. Është një ndryshim që do ndodhë me çdo çmim, në mënyrë që të mos i dëbojë Edi Rama fëmijët e shqiptarëve, por të ikë njëherë e mirë, një orë e më parë nga zyra e kryeministrit. Apeli im është të gjithë të dëgjojnë zërin e popullit”, tha Meta.
Ora 12:22- Berisha del nga selia e PD dhe i drejtohet Bulevardit
Kreu i PD-së Sali Berisha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Me thirrjet kundër Edi Ramës dhe i shoqëruar nga qytetarë të shumtë, Berisha ka marshuar drejt Bulevardit, teksa ndryshe nga herët e tjera mediat nuk do të lejohen të jenë pranë tij.
12:15- Kryemadhi: Asgjë nuk e shpëton Edi Ramën. Mënyra se si largohet ai është e ndryshme
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka folur para nisjes së protestës për mediat. Ajo tha se ndodhet në shesh si qytetare dhe se ka parë të pranishme dhe shumë qytetarë që vijnë nga zona gri.
“Sot pjesëmarrja do të jetë shumë e madhe. Nuk mendoj se do jenë vetëm mbështetësit e PD, do jenë dhe nga zona gri. Ajo çka kam parë sot, kam vënë re se pjesa më e lëkundur, ajo që është skeptike ndaj politikës do të dalë për të thënë se ne jemi këtu. Nuk e di sa do të zgjasë sepse nuk jam pjesë e organizimit. Unë dal si qytetare, nuk dal për liderët politikë. Edhe ju duhet të dilni për familjet tuaja. Mënyra se si Edi Rama trajton me arrogancë shoqërinë shqiptare, që thotë unë po të jap rrogën ty, edhe pse i paguan me paratë e qytetarëve shqiptarë. Sot ka shumë arsye për të protestuar. Duhet të dalim të tregojmë se çdo gjë nuk është ajo që tregon Edi Rama. Mënyra se si largohet Edi Rama është e ndryshme.
Në SHBA Serwer më ka thënë se rruga juaj është e gjatë. Mendoj që protesta e studentëve është shembulli më i mirë, protesta e armëve kimike është shembulli i mirë. Pastaj hapat e tjerë mendoj që janë të ndryshme.
Më bëhet shumë qejfi që djali i hallës së Ilir Metës ka nxjerrë arkivin e 2013 ku Ilir Meta ishte në një takim me ambasadorin kinez.
Fotografitë e vjetra nuk e shpëtojnë Edi Ramën sepse as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha, as Sali Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së.
Ditë të shtune dhe ditë pushimi nuk ka protestë, ka manifestim. Protestë ka kur ne deputetët rrimë brenda në parlament dhe qytetarët jashtë dhe i kapim si miu në çark”, tha Kryemadhi.
Ora 11:28- Reagon ambasada e SHBA për qytetarët amerikanë: Shmangni tubimet e mëdha!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë iu bën thirrje shtetasve amerikanë të qëndrojnë larg protestës që pritet të mbahet nga opozita e bashkuar.
Në njoftimin e saj rutinë ambasada iu jep informacion shtetasve të saj se ku do të mbahet protesta duke i paralajmëruar se situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve”, njofton ambasada e SHBA.
“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, njofton ambasada.
12:06 - Boçi: Protesta po shkon sipas pritshmërive tona
Nga oborri i selisë së Partisë Demokratike, nënkryetari i kësaj partie Luçiano Boçi në një prononcim për gazetaren e Ora News”, Sonila Musai, u shpreh entuziast për protestën e thirrur mesditën e sotme nga opozita kundër qeveroisë “Rama”.
“Protestën po e shikon dhe vetë. Njerëzit kanë ardhur herët, kanë dëshirën e tyre të protestojnë dhe besoj se sheshi do jetë plot, siç dhe janë dhe pritshmëritë”, u shpreh Boçi.
Kryeministri Rama zgjodhi që t'i përgjgijej protestës përmes një videoje në Facebook ku shihet duke punuar një vazo me baltë.
"Ka një arsye që thyhet, unë nuk e di por ama duhet ta marrim mesazhin e ta khtejmë thyerjen në kreativitet. Nga thyerja duhet të ngjitemi më lart," dëgjohet duke thënë ai në video.
11:56 - Kamza në shesh, Kandidati i PD-së: Rama i ka orët e numëruara!
Nga sheshi “Skënderbej”, Arjan Hoxha, kandidat i Partisë Demokratike për bashkinë e Kamzës pohoi pak para protestës se kjo qeveri i ka orët e numëruara.
Ai pohoi për “Ora News” se Rama është demon i këtij pushteti dhe se protesta për largimin e tij është e vonuar.
“Kamza dhe Paskuqani të gjithë në protestë. Asnjëhetrë nuk është vonë për të protestuar, sepse edhe kjo protestë për mendimin tim është e vonuar.
Rama është demon i pushtetit. Kjo qeveri i ka orët e numëruara. Qytetarët do i japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie.”, tha kandidat i Partisë Demokratike Arjan Hoxha, në një prononcim për gazetarin Edison Vatnikaj.
11:54 - Reagon PS, Taulant Balla komenton nga Fieri protestën në Tiranë
Nga Fieri drejtuesi politik Partisë Socialiste të Qarkut Taulant Balla e ka cilësuar protestën e sotme të opozitës fshehje pas gishtit dhe largim vëmendje nga dosjet e bujshme si "Gërdeci" dhe "21 Janari".
"Asnjë shqiptar nuk e vë në dyshim se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë minuesit e demokracisë në Shqipëri ka thënë Balla teksa ka theksuar se protesta e opozitës është kundërvenie ndaj drejtësisë.
"Unë jam në Fier sepse çdo të shtunë takohem me drejtuesit e PS në shtabet elektorale të Fierit opër ecurinë e punëve të zgjedhjeve të 14 majit.
Sot Sali Berisha, jo PD, ka thirr një protestë që të justifikojë hallin e tij. Të gjithë e dim se është shpallur nongrata nga SHBA, ëpr korurpsion të lartë dhe minim të demokracisë," tha Balla.
10:14 - Berisha mbërrin në selinë e PD-së, simpatizantët e shoqërojnë me flamuj në duar
Partia Demokratike ka organizuar sot një protestë në buklevardin Dëshmorët e Kombit, në orën 12:00.
Mijëra simpatizantë nga e gjithë Shqipëria janë nisur drejt Tiranës për tu bashkuar.
Kreu i PD-së Sali Berisha ka mbërritur tashmë në selinë e PD-së shoqëruar nga simpatizantët me flamuj të PD-së. Ai e ka cilësuar protestën që mbahet sot në Tiranë nga opozita si “revolucion demokratik” dhe ka shprehur besimin e plotë për një mbështetje të gjërë popullore.
“Shqipëria po marshon drejt Tiranës! Tirana vërshon sot në rrugët dhe sheshet e saj! Rroftë Revolucioni Demokratik!”, u shpreh Berisha në rrjetet sociale.
Mijëra qytetarë e simpatizantë të PD-së janë nisur nga disa qytete të Shqipërisë për tu bashkuar në protestën e PD-së në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Mijëra persona janë nisur nga Vlora, Korça, Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri etj.




