"Shqipëria derdhet në Tiranë"/ Me furgonë e vetura shqiptarët sfidojnë të ftohtin, mijëra në protestë
Mijëra qytetarë e simpatizantë të PD-së janë nisur nga disa qytete të Shqipërisë për tu bashkuar në protestën e PD-së në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Mijëra persona janë nisur nga Vlora, Korça, Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri etj.
Vlorë
Rreth 1100 veta janë nisur sot nga rrethi i Vlorës në drejtim të Tiranës, simpatizantë të Partisë Demokratike që do të marrin pjesë në protestën e orës 12:00.
Nga dega e Partisë Demokratike Vlorë janë nisur rreth 850 persona teksa janë rregjistruar 120 automjete. Nga dega e Selenicës janë rregjistruar 30 automjete me një total rreth 150-170 persona.
Ndërsa nga dega e Himarës janë nisur diku tek 50-80 persona teksa janë regjistruar në degë rreth 15-20 automjete.
Nisja do të bëhet në mënyrë private teksa automjetet pjesëmarrëse në protestë janë rregjistruar fillimisht në degët përkatëse.
Ashtu si në çdo protestë të opozitës, policia e Vlorës ka vendosur postbllok për të kontrolluar automjetet në hyrje të autostradës Levan Vlorë.
Korçë/ Rreth 1560 simpatizantë të PD së juglindjes pritet ti bashkohen protestës së sotme.
Nisja është bërë prej orës 6 të mëngjesit të sotëm, ndërsa organizimi ka qenë diskret për shkak të frikës ndaj policisë për ndalim të mjeteve apo masave administrative. Sipas informacioneve, nisja është bërë pjesën më të madhe me mjete private, ndërsa ka patur edhe një numër të vogël autobuzash drejt Tiranës.
Përkatësisht, nga Korça nisen 400 demokratë, nga Maliqi dhe Devolli po ashtu 400, nga Pogradeci 300, dhe nga Kolonja 60 demokratë. Në komunikimet me drejtuesit e degëve, është kërkuar që detajet e nisjes të mbahen të fshehta për të mos patur probleme.
Fier/ Mbi 800 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike dega Fier do ti bashkohen protestës së sotme të organizuar nga opozita. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike Fier, Rrapi Gjika drejt Tiranës janë nisur me automjetet e tyre private dhjetëra demokratë duke nisur që nga mbrëmja e djeshme ndërsa ka theksuar se në këtë protestë të radhës ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama janë bashkuar dhe shumë qytetarë.
Shkodër
3000 simpatizantë të Shkodrës i janë bashkuar thirrjes për protestë. Me mjete personale si dhe furgonë e autobus të vendosur në dispozicion nga dega e PD nisja u bë në mënyrë të organizuar nga disa pika të qytetit dhe njësive administrative.
Kavaja- 612 demokratë nisen nga Kavaja drejt Tiranës. Mbi 150 automjete sapo u nisën nga selia e PD.
Saranda /Të nisur me automjetet e tyre personale rreth 100 demokrat, nga Saranda janë nisur per t'ju bashkuar protestës së opozitës në orën 12:00.
Kukësi
Rreth 2000 qytetarë priten të vijnë këtë të shtunë në Tiranë nga Kukësi për protestën e thirrur nga opozita. Kreu i PD-së në Kukës, Admir Sinamati tha se Kukësi, si një bastion i përhershëm i palëkundëshëm i PD do i bashkohet kësaj proteste, për t'i dhënë mbështetjen PD-së për demokracinë dhe pluralizimin.
"Qytetaret kuksiane dhe mbështetesit e PD janë nisur me autobuzë dhe me makina personale drejt Tiranës.Opozita do të zhvillojë sot një protestë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë në orën 12:00. ku ka ftuar pa dallim, jo vetëm mbështetësit e saj, por qytetarët pa dallim që janë të goditur nga kriza ekonomike dhe korrupsioni i qeverisë Rama", deklaroi për mediat Kreu i PD-së në Kukës, Admir Sinamati.
Lezhë
Edhe demokratët e Lezhës i janë bashkuar thirrjes së opozitës për të protestuar kundër qeverisë "Rama". Me mjete personale si dhe furgonë e autobusë, të vendosur në dispozicion nga dega e PD-së nisja u bë në mënyrë të organizuar nga disa pika të qytetit dhe njësive administrative.
Deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj dhe kandidati për Bashkinë Lezhë, Pashk Gjoni, thanë se do jenë qytatarët ata që do të vendosin mbi vijueshmërinë e protestës.
Durrësi/ Rreth 2000 protestues pritet të nisen nga Durrësi drejt Tiranës për tu bashkuar në protestën e PD-së.
Krerët e PD kanë deklaruar se në prorestë do të jenë të bashkuar. Përt nisjen e tyre nuk ka patur një organizim.

