Nga skandali i AKSH-it, e deri tek dh*na ndaj qytetarëve me monopatina/ Kapri: Kjo nuk është Shqipëri perëndimore

Seanca e sotme në Kuvend u ndez nga fjalimi i deputetit të partisë “Mundësia”, i cili kritikoi ashpër qeverinë për vendimet e saj dhe për vendosjen e rezolutave që, sipas tij, synojnë vetëm të ruajnë interesat politike të kryeministrit Edi Rama. Ai vuri në dukje kontradiktat në politikën e jashtme dhe situatën e brendshme, duke përmendur çështjet e pronës, rritjen e biznesit kinez në Shqipëri dhe dhunën ndaj qytetarëve, duke theksuar se Shqipëria po largohet nga standardet e një vendi perëndimor.

"Nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore dhe do sille si perëndimore, para se të sillte rezoluta servile të këtij lloji, të cilat sigurisht kanë një vlerë për t'i thënë botës që Shqipëria është pjesë e perëndimit, por në fakt ne e kuptojmë që këto rezoluta që janë bërë të njëpasnjëshme, është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës, na e të e dimë që çfarë do të ndodhi së shpejti dhe nevoja për t'u treguar sa më shumë servil në sytë e perëndimorëve, na bën që të sjellë dhe rezoluta të tilla.

Në fakt është shumë qesharake kur e mendon që ne bëjmë një rezolutë kundër Iranit dhe Irani na ka sulmuar parlamentin madje, dhe asnjë nga mazhoranca nuk kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Dhe në qoftë se do e kërkojmë mbledhjen, do kuptojnë që çfarë i kemi bërë vetes ne me krimin e organizuar, me dosjet e AKSHI-t e të tjerë, me marrjen e të dhënave, nuk na e ka bërë Irani.

Se flasim ne në luftën kundër lindjes, por Senati amerikan thotë që Kina paska rritur me 23% tregtinë me Shqipërinë vitin e kaluar. Çfarë vendi perëndimor është ky?

Nuk rriten bizneset amerikane, rriten bizneset e Kinës. Në fakt, çfarë u bëhet shqiptarëve këtu ngjan shpesh dhe se çfarë u bë ajo garda iraniane popullsisë së vet atje.

Ja u them unë, ja u them unë. Më lejoni ta mbaroj. Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik të Shqipërisë për të drejtën e pronës.

A i keni parë videot dhe fotot, zonja dhe zotërinj, se si policë privatë me kapuç të zinj dhe shkopa dhe shkopa gome rrahin banorët tamam si gardianët iranianë islamik. Asnjë prej jush nuk ka folur për këtë. Dhe janë çuar për të drejtën e pronës. Dhe ju flisni për një Shqipëri perëndimore.

Dhe në fakt, Shqipëri perëndimore që çmimi i naftës rritet pa u bllokuar ngushtica e Hormuzit, apo ku njerëzit dhunohen pse ecin me monopatina, dhe ç'është më e rënda, që po fole për këto çështje, po fole për të drejtat e njerëzve në këtë vend, përjashtohesh nga parlamenti.

Kjo nuk është Shqipëri perëndimore. Dhe ç'është më e rënda sërish, zonja dhe zotërinj, nëse ne do të ishim vërtet një vend që do ishim afër perëndimit, nuk do vendosnin mbrojtje politike siç bëtë me zonjën Balluku. Shqipëria sot është më larg nga perëndimi se asnjëherë më përpara dhe kjo bëhet vetëm për fatin politik të Edi Ramës, i cili tashmë ka vendosur që integrimi i Shqipërisë të mos kalojë nga Brukseli, por të kalojë nga Beogradi. Kjo është fatkeqësia juaj dhe e mazhorancës tuaj ilegjitime tashmë", u shpreh Kapri.

EMISIONET