Mbappé thyen heshtjen pas Botërorit, mesazhi i kapitenit të Francës: Do të rikthehemi më të fortë

Mbappé thyen heshtjen pas Botërorit, mesazhi i kapitenit të

Pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, Kylian Mbappé ka vendosur të flasë për herë të parë për rrugëtimin e Francës në turne. Kapiteni i “Gjelave” publikoi një letër të hapur për tifozët francezë, ku ndau emocionet pas një Botërori të mbushur me sfida, krenari dhe zhgënjimin për mungesën e trofeut.

Mbappé pranoi se humbja e Kupës së Botës mbetet një dhimbje për skuadrën, pavarësisht arritjeve personale dhe titullit si fitues i “Këpucës së Artë”.

“Ne nuk sollëm në shtëpi një trofe ekipi. Kjo dhemb dhe do të vazhdojë të dhembë për një kohë. Këpuca e Artë është një krenari, por do të kishte qenë shumë më mirë me Kupën në krye”, shkroi sulmuesi francez.

Kapiteni i Francës u shpreh krenar për mënyrën se si skuadra luftoi gjatë gjithë kompeticionit dhe për mbështetjen e tifozëve, të cilët sipas tij qëndruan pranë ekipit në çdo moment.

“Mund t’ju kishim borxh një fund më të bukur, por ne nuk zgjedhim gjithmonë fundin e historisë. Ne zgjedhim atë që vendosim në të dhe ne vendosëm gjithçka”, ishte mesazhi i Mbappé.

Sulmuesi falënderoi shokët e skuadrës, duke lidhur suksesin e tij personal me punën e gjithë grupit.

“Pa punën e tyre, vrapimet dhe pasimet e tyre, nuk do të kisha mundur të shënoja kaq shumë. Ky titull i përket kolektivit po aq sa më përket mua”, shkroi ai.

Mbappé kujtoi edhe ëndrrën e tij të fëmijërisë për të luajtur në një Kupë Bote. Ai ka marrë pjesë në tre edicione të turneut, ka fituar një trofe dhe në Botërorin e fundit mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit të Francës.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të tij ishte edhe falënderimi për tifozët, të cilët ndoqën ekipin nga stadiumet, shtëpitë dhe ekranet në vende të ndryshme të botës.

Mbappé kujtoi gjithashtu punën e stafit teknik dhe të gjithë personave që qëndrojnë pas suksesit të një kombëtareje, nga trajnerët te fizioterapistët dhe pjesëtarët e tjerë të ekipit.

Në fund të letrës, kapiteni francez la një mesazh për të ardhmen, duke bërë të qartë se rrugëtimi i Francës nuk përfundon këtu.

“Kjo Kupë Bote po mbaron, por historia vazhdon. Do të ketë ndeshje të tjera dhe net të tjera kur do të bashkohemi sërish për këtë lojë të njëjtë, me të njëjtën dëshirë”, shkroi Mbappé.

EMISIONET