Ministrja Ismaili opozitës: Jam e gatshme për interpelancë, nuk kam pranuar kurrë fjalime të gatshme

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili iu përgjigj në Kuvend deklaratave të opozitës lidhur me delegimin e interpelancës së kërkuar prej tyre me kryeministrin, duke theksuar se procedura është e rregullt.

Në replikën e saj, Ismaili tha se duhet të bëhet dallimi mes kërkesës për praninë e kryeministrit dhe kërkesës për zhvillimin e një debati mbi një çështje konkrete.

“Në fakt është totalisht e drejtë që interpelanca është e kryeministrit, por është e deleguar. Në rast se ju kërkoni interpelanca vetëm sepse kërkoni prezencën e kryeministrit, është një gjë. Dhe në rast se kërkoni të zhvilloni interpelanca mbi çështje të caktuara, për të zhvilluar një debat apo diskutim, është një gjë tjetër”, deklaroi ministrja.

Ministrja theksoi se opozita ka të drejtën të tërheqë kërkesën për interpelancë, por kërkoi që të bëhet e qartë nëse dëshiron apo jo zhvillimin e saj.

“Është e drejta juaj për të tërhequr kërkesën mbi arsyetimin që bëtë, thjesht na bëni të ditur në qoftë se dëshironi që të zhvillohet sot apo jo. Unë jam e disponueshme, jam e përgatitur për të bërë një diskutim dhe debat mbi çështjen”, u shpreh Ismaili.

Në fund të fjalës së saj, Ismaili hodhi poshtë pretendimet e opozitës se fjalimet e saj përgatiten nga persona të tjerë.

“Unë kurrë në jetën time, që ta dish sot i nderuar koleg, as kam pranuar, as do të pranoj të më bëjë ndonjëherë fjalim gati. Kurrë”, deklaroi ministrja, duke shtuar se opozita mat punën e të tjerëve vetëm  me metrin  e vet.

NDIQNI PUNIMET E SOTME TË KUVENDIT NË SEANCË PLENARE

EMISIONET