Natyra si “ilaç”: ja 4 përfitime të provuara për trupin dhe mendjen...

Kalimi i kohës në natyrë, qoftë edhe një shëtitje e shkurtër në park, mund të sjellë përfitime të dukshme për trupin dhe mendjen, sipas ekspertëve. Studimet tregojnë se qëndrimi në ambiente të gjelbra ul stresin, përmirëson humorin dhe ndikon pozitivisht në shëndetin fizik.
Sipas kërkimeve shkencore, edhe vetëm 20 minuta në natyrë mund të jenë të mjaftueshme për të nisur efektet pozitive në organizëm, duke e bërë një shëtitje të shkurtër gjatë pushimit të drekës një zakon të dobishëm.
Një nga efektet kryesore është relaksimi i pavetëdijshëm i trupit. Kontakti me gjelbërimin, tingujt e natyrës dhe ajrin e pastër ndikon në uljen e presionit të gjakut dhe ngadalësimin e rrahjeve të zemrës, duke aktivizuar sistemin nervor të relaksimit.
Një tjetër përfitim lidhet me balancimin e hormoneve të stresit, ku qëndrimi në natyrë ndihmon në uljen e kortizolit dhe adrenalinës, duke rritur ndjesinë e qetësisë dhe mirëqenies.
Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e ndjesisë së nuhatjes, pasi aromat e pemëve dhe tokës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor dhe të sjellin qetësi brenda pak minutash.
Përveç ndikimit në mendje, natyra ka edhe efekt në shëndetin e zorrëve, pasi kontakti me tokën dhe bimët ndihmon në marrjen e baktereve të dobishme që forcojnë sistemin imunitar.
Sipas studiuesve, edhe nëse nuk është e mundur të dilet shpesh në natyrë, elementë të thjeshtë si fotot e peizazheve, bimët në shtëpi apo aromat natyrale mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe përmirësimin e humorit./BBC


