INSTAT: Kostoja në ndërtim u rrit me 1,1% në tremujorin e parë të vitit 2026

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 1,1% në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja vjetore u ndikua kryesisht nga shtimi i kostove në grupin “Shpenzime për paga”, i cili shënoi rritje me 4,8%. Po ashtu, në rritje rezultuan edhe grupet “Kosto të tjera” me 2,5%, “Shpenzime transporti” me 1,7% dhe “Shpenzime makinerie” me 1,5%.
Në të kundërt, grupi “Shpenzime materiale” regjistroi ulje me 0,9% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Brenda këtij grupi, rënia më e madhe u shënua te nëngrupi “Materiale ndërtimi”, me 1,4%, i ndjekur nga “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,9%. Ndërkohë, nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” rezultoi me rritje prej 0,5%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim u rrit me 0,3% gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Rritja tremujore u mbështet kryesisht nga grupi “Kosto të tjera”, me 1,7%, si dhe nga “Shpenzime për paga” me 0,6%, “Shpenzime makinerie” dhe “Shpenzime transporti”, që shënuan secili rritje me 0,3%.
Nga ana tjetër, grupi “Shpenzime materiale” pësoi një ulje të lehtë prej 0,2%, si rezultat i rënies së çmimeve në nëngrupet “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,8% dhe “Materiale ndërtimi” me 0,4%, ndërsa “Materiale elektrike dhe komunikimi” u rrit me 0,2%.


