Dumfries një hap larg Real Madridit, Interi pret pagesën e klauzolës

E ardhmja e Denzel Dumfries duket gjithnjë e më larg Inter dhe më afër Real Madrid. Sipas raportimeve të fundit, mbrojtësi holandez ka arritur një marrëveshje të plotë me gjigantët spanjollë dhe është gati të firmosë një kontratë katërvjeçare me klubin madrilen.
Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se Dumfries ka kryer në fshehtësi edhe vizitat mjekësore në Holandë, çka shpjegon mungesën e tij në ndeshjen miqësore që kombëtarja holandeze zhvilloi ndaj Algjerisë në kuadër të përgatitjeve për Botërorin.
Në ditët e fundit ishte përfolur mundësia e një marrëveshjeje të veçantë mes Interit dhe Real Madridit për transferimin e lojtarit. Klauzola e largimit të Dumfries parashikon një pagesë prej 20 milionë eurosh në një këst të vetëm dhe, duke pasur parasysh raportet e mira mes dy klubeve, u mendua se palët mund të negocionin një formulë alternative.
Megjithatë, kjo mundësi duket se ka rënë poshtë. Në selinë e Interit ka mbërritur tashmë një komunikim zyrtar nga Madridi, ku shprehet qartë synimi për të aktivizuar klauzolën e prishjes së kontratës sipas kushteve të përcaktuara.
Tashmë, mes Dumfries dhe transferimit në “Santiago Bernabéu” mbetet vetëm një hap formal: zgjedhjet presidenciale te Real Madridi. Megjithatë, ky proces nuk pritet të sjellë surpriza, pasi Florentino Pérez konsiderohet favorit absolut për të fituar mandatin e ri.
Sipas raportimeve, Pérez ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të transferimit të holandezit, së bashku me José Mourinho, i cili përflitet si trajneri i ardhshëm i Real Madridit.


