Kumbaro: Nxënësit do të rrinë sërish vonë, ndaj “smart city” është projekti i duhur për shkollat tona
Një plan i ri po gjen zbatim për institucionet arsimore në vend, duke synuar një transformim të plotë të mënyrës se si fëmijët kalojnë kohën e tyre brenda ambienteve të shkollës.
Me një theks të veçantë te komunikimi si mjeti më i shëndetshëm dhe parandalimi i problematikave, ministrja Mirela Kumbaro njoftoi një sistem të ri bashkëpunimi dhe sinjalizimi mes mësuesve, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë.
Kumbaro theksoi se qëllimi nuk është survejimi i nxënësve, por edukimi i tyre në një mjedis gjithëpërfshirës. Shkolla pritet të kthehet në një hapësirë që shkon përtej programit tradicional mësimor, duke ofruar mundësi për argëtim, kreativitet, sport dhe zeje të ndryshme përmes programeve pas përfundimit të orëve zyrtare.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është zgjatja e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkolla, i cili do të kalojë përtej orarit të zakonshëm të mesditës, duke shkuar pas orës 12:00, 13:00 apo 14:00. Kjo nismë, e provuar tashmë përmes një projekti pilot në 47 shkolla të Tiranës gjatë shkollave verore, kërkon një kontroll më të rreptë të hapësirave dhe masa të shtuara sigurie.
Për të arritur këtë standard, ministrja tha se po synohet kombinimi i teknologjisë me mbikëqyrjen njerëzore. Implementimi i projektit "Smart City" shihet si zgjidhja e duhur për të pasur shkolla më të sigurta, një nismë kjo që po koordinohet ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme.
PJESË NGA FJALA E MINISTRES KUMBARO
Nuk duam të kemi fëmijë të survejuar. Këtë dua ta them me zërin plot. Por duam të kemi fëmijë të edukuar.
Edhe pikërisht përmes një vizioni që e koncepton shkollën, përtej programit mësimor, po si një hapësirë gjithëpërfshirëse ku ka dhe edukim, ka dhe argëtim, ka dhe kreativitet, sport edhe zeje, siç është programi pas shkolle.
Pra, akoma më e rëndësishme bëhet kjo po të kemi parasysh që do të vazhdojë qëndrimi i fëmijëve nëpër shkolla përtej orës 12:00, përtej orës 1:00, përtej orës 2:00, dhe akoma më e rëndësishme bëhet kontrolli i hapësirave të sigurisë të këtyre fëmijëve, apo siç ishte piloti, projekti piloti i fundit me 47 shkolla të Tiranës në shkollat verore, ku zgjatim kohën e qëndrimit të fëmijëve, të gjitha këto janë masa të cilat kanë nevojë për shumë kontroll dhe siguri.
Të gjitha këto ndodhin sepse duam të kombinojmë teknologjinë me syrin e gjithësecilit. Kjo është siguria. Dhe qyteteve smart iu duhen njerëz smart. Prandaj 'smart city' është projekti i duhur për shkollat tona.


