Kandiç – Paunoviçit: Ti je nga Peja, e di sa shumë shqiptarë u vranë e u dogjën atje

Kandiç – Paunoviçit: Ti je nga Peja, e di sa shumë

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç ka thënë se deklarata e ministres serbe të pushtetit lokal, Snezhana Paunoviç për spastrim etnik të shqiptarëve, nuk është një qëndrim i kësaj të fundit për të kaluarën, por një porosi se kjo ideologji nuk është harruar ende.

Për më tepër, ajo ia ka kujtuar pjesëtares së qeverisë së Serbisë se ajo personalisht është nga Peja dhe duke qenë kështu, është në dijeni se në këtë qytet, forcat e Sllobodan Millosheviçit kanë kryer shumë krime kundër shqiptarëve.

“Ministrja Paunoviç është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999, policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga Peja, ku qytetarët u detyruan të largoheshin në kolona këmbësorësh drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë u deportuan drejt Shqipërisë”, ka shkruar Kandiç në platformën X.

Kandiç shton se ”po ashtu, ajo është në dijeni të krimeve të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku civilë u vranë dhe trupat e tyre u dogjën”.

Pavarësisht kësaj, Paunoviç, sipas Kandiç, e “paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që, sipas saj, ai nuk është zbatuar në vitin 1998″.

“Fjalët e saj nuk i shoh si një reflektim për të kaluarën, por si një mesazh se kjo ideologji nuk është braktisur”, ka shkruar themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare. /KosovaPress

EMISIONET