Bajrami kërkon reformim të LDK-së: Partia nuk duhet të jetë shtojcë e askujt, por alternativë fituese

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshime të thella në parti, duke e cilësuar Kuvendin e jashtëzakonshëm si një mundësi për një fillim të ri dhe jo një përballje mes individëve.
Përmes një reagimi publik, Bajrami theksoi se në Kuvend nuk duhet të vendoset se kush është me kryetarin aktual apo kundër tij, por se kush është në krah të LDK-së dhe të së ardhmes së saj.
Ajo argumentoi se rezultatet zgjedhore të viteve të fundit tregojnë qartë nevojën për ndryshim, duke kujtuar se që nga viti 2021 LDK-ja ka marrë pjesë në tri procese zgjedhore dhe në të gjitha është renditur si forca e tretë politike.
“Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate. Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”, u shpreh Bajrami.
Ajo rikujtoi se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe kishte dhënë dorëheqje edhe nga posti i nënkryetares.
Sipas Bajramit, LDK-së i nevojitet një model i ri drejtimi që bashkon, respekton mendimin ndryshe dhe promovon meritokracinë, duke theksuar se partia nuk duhet të jetë “shtojcë” e asnjë force tjetër politike.
“LDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje për të fituar, jo për të qenë pjesë e pushtetit të të tjerëve”, theksoi ajo.
Në përfundim, Bajrami u bëri thirrje delegatëve që Kuvendin ta shohin si një mundësi për ringritjen e partisë, me synimin për ta kthyer LDK-në në një alternativë serioze qeverisëse për qytetarët e Kosovës.



