Berisha: Enea Mekolli është dy herë hero, vr*sësi i tij financohej me fonde shtetërore! Duhet parë nëse ka pasur dekonspirim të operacionit
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha deklaroi gjatë një konference shtypi se punonjësi i policisë Enea Mekolli “është dy herë hero”.
“Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve”, tha kreu demokrat.
“Vrasësi i tij financohej me fonde shtetërore”, tha ai.
Berisha: Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të dëshmorit të kombit, Enea Mekolli, komunitetit të Maliqit.
Të dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar, i sponsorizuar nga shteti i lidhur këmbë e kokë me krimin.
Enea Mekolli ishte një i ri idealist, i cili pasi vëllai i tij në polici ndahet nga jeta për shkak të një sëmundje, kërkon të vazhdojë misionin e të vëllait, sigurimin e jetës, veprimtarisë, ligjit të qytetarëve shqiptarë.
Në këtë aspekt, ai është dy herë dëshmor.
Dhe familja e tij është një familje me kontribute shumë të mëdha për sigurinë e qytetarëve, jetës, veprimtarisë, rendit, ligjit të qytetarëve shqiptarë.
Por, aq sa është e dhimbshme vrasja mizore nga një dorë kriminale e policit në detyrë, aq kriminale e shëmtuar është qëndrimi i narkoshtetit ndaj vrasësit, i cili kishte 9 vite në kërkim, gjoja në kërkim, dhe që financohej nga fonde shtetërore për të ndërtuar stalla, konaqe, ngrehina, mbarështuar bagëti sikur të ishte një fermer i nderuar.
Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve.
Vrasësi i Enea Mekollit nuk mund të qëndronte 9 vite në kërkim, të mbarështonte bagëti dhe stalla pa përkrahjen e fortë të pushtetit.
Dhe siç dëshmojnë dokumentet, ajo përkrahje ka ardhur edhe me financime falas ndaj veprimtarive të tij.
Sot, jeta e çdo shqiptari është në duart e krimit dhe kjo për faktin e vetëm se qeveria është e lidhur këmbë e kokë me krimin.
Ndaj dhe kjo është një ngjarje tmerrësisht tronditëse.
Por, rënia e tij në krye të detyrës, ka edhe një problem tjetër madhor, i cila duhet të hetohet.
A ishte njësia e tij, ajo që duhej të dërgohej për arrestimin apo neutralizimin e një banditi të armatosur? E një krimineli të armatosur?
Apo janë njësitë e tjera, ato të cilat në ligj kanë detyrë të përmbushin këtë mision?
A ishte njësia e Mekollit, e pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga armët e zjarrit?
Është shumë e vështirë të besohen komunikatat e kreut të policisë, i cili me to kërkon me çdo kusht në vend të dorëheqjes së menjëhershme, kërkon të mbrojë karrigen e tij.
Çdo komunikatë dhe çdo veprim bëhet me miratimin e drejtorit të përgjithshëm në polici.
Cili ishte roli i tij në këtë operacion?
Sa e vërtetë është dhe çfarë lloji jeleku antiplumb kishte Enea Mekolli?
Janë të gjitha këto pyetje, të cilat Komisioni i Sigurisë në parlament duhet t’i shqyrtojë pasi këtu të tjerët janë në duart e krimit.
I bëj thirrje edhe prokurorisë të hetojë.
Por angazhimi i Komisionit të Sigurisë të parlamentit është i domosdoshëm.
Një operacion i tillë, më së paku mund të thuhet i keqorganizuar, i keqplanifikuar.
Të kontrollohen mirë të gjitha komunikimet që vrasësi ka pasur për të parë nëse kemi një dekonspirim të operacionit.
Se për të maskuar këtë, shprehen se mbante disa qen, se sikur e paskan njoftuar qentë atë se do shkojë policia për ta rrethuar.
Këto ngjallin shumë dyshime.
Por unë edhe njëherë shpreh nderimin më të madh për Enea Mekollin, të rënë në krye të detyrës si trim, si një hero i vërtetë.
Dënoj me forcën më të madhe dorën gjakatare që i mori jetën, por edhe të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë direkt apo indirekt të implikuar në këtë akt shumë të rëndë.
U ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje dëshmorin e kombit, Enea Mekolli. I përjetshëm kujtimi i tij!


