VAJ GATIMI PËR AVIONËT! Japonia mbledh vaj të përdorur për karburantin e aviacionit

Japonia po intensifikon përpjekjet për prodhimin e karburantit të qëndrueshëm për aviacionin, duke mbledhur vaj gatimi të përdorur nga familjet dhe bizneset. Nisma synon të ndihmojë vendin të arrijë objektivin që deri në vitin 2030, 10% e karburantit të përdorur nga linjat ajrore të vijë nga burime të qëndrueshme.

VAJ GATIMI PËR AVIONËT! Japonia mbledh vaj të përdorur

Japonia po përshpejton përpjekjet për të siguruar karburant të qëndrueshëm për aviacionin, në një kohë kur industria globale e fluturimeve përballet me presion në rritje për të ulur emetimet e karbonit dhe për të gjetur alternativa ndaj karburanteve tradicionale.

Një nga burimet kryesore që po shfrytëzohet është vaji i përdorur i gatimit. Në kuadër të projektit “Fry to Fly”, qindra pika grumbullimi në të gjithë vendin po mbledhin vajin e përdorur nga familjet dhe bizneset, i cili më pas përpunohet për prodhimin e karburantit të qëndrueshëm për avionët.

Autoritetet japoneze synojnë që deri në vitin 2030 të sigurojnë rreth 1.7 milionë kilolitra karburant të tillë, në mënyrë që 10 për qind e nevojave të aviacionit të mbulohen nga burime më miqësore me mjedisin.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Aktualisht, prodhimi vendas arrin vetëm rreth 30 mijë kilolitra në vit, një sasi që përfaqëson vetëm 0.3 për qind të konsumit total të karburantit për avionë në Japoni.

Kompanitë kryesore ajrore japoneze kanë paralajmëruar se sigurimi i sasive të nevojshme do të jetë më i vështirë nga sa ishte parashikuar fillimisht. Për më tepër, mungesa e lëndës së parë dhe kostot e larta të prodhimit mund të detyrojnë rafineritë dhe linjat ajrore të mbështeten më shumë te importet, duke rritur kostot operative.

Ekspertët theksojnë se viti aktual konsiderohet vendimtar për industrinë, pasi kompanitë duhet të marrin vendime për investimet që do të përcaktojnë nëse objektivat e vitit 2030 mund të realizohen.

Ndërkohë, Japonia po kërkon të ndërtojë një model ku qytetarët, bizneset dhe industria e aviacionit kontribuojnë së bashku në tranzicionin drejt energjive më të pastra dhe më të qëndrueshme.

EMISIONET