TRAGJEDI NË SAHARA/ Prishet kamioni, 49 persona humbasin jetën nga etja në shkretëtirë
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në shkretëtirën e Saharasë, ku të paktën 49 persona humbën jetën pasi mbetën të bllokuar pa ujë në mes të shkretëtirës. Kamioni me të cilin udhëtonin pësoi defekt, ndërsa temperaturat ekstreme dhe kushtet e vështira e bënë të pamundur mbijetesën për shumicën e udhëtarëve.

Të paktën 49 persona kanë humbur jetën nga etja në një zonë të izoluar të shkretëtirës së Saharasë, në veri të Niger, pasi kamioni me të cilin udhëtonin pësoi defekt dhe mbeti i bllokuar larg çdo burimi uji.
Sipas autoriteteve lokale, grupi po kthehej nga Mali, ku kishte marrë pjesë në një festë myslimane. Udhëtarët mbetën të izoluar më shumë se 80 kilometra larg pikës kufitare të Assamaka, në një nga zonat më të ashpra të Saharasë.
Vetëm dy persona arritën të mbijetonin. Ata ecën përmes shkretëtirës për të kërkuar ndihmë dhe njoftuan autoritetet për tragjedinë. Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, gjetën dhjetëra trupa të pajetë pranë dhe poshtë kamionit të ndaluar.
Autoritetet bëjnë të ditur se për disa ditë shoferi dhe pasagjerët u përpoqën të riparonin automjetin, por pa sukses. Të mbetur pa ujë dhe pa mundësi komunikimi, ata nuk mundën t’i mbijetonin temperaturave ekstreme të shkretëtirës.
Gjatë operacionit të shpëtimit, ekipet hasën edhe një tjetër kamion të bllokuar me më shumë se 60 persona në bord. Këtë herë udhëtarët u shpëtuan në kohë, pasi morën ujë dhe ndihmë teknike për riparimin e mjetit.
Autoritetet e Nigerit theksojnë se tragjedia nxjerr në pah rreziqet e mëdha me të cilat përballen mijëra emigrantë dhe udhëtarë që kalojnë përmes Saharasë, një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit drejt Evropës.


