Nga Kosova në SPIEGEL Bestsellerliste / Historia frymëzuese e Toni Hisenajt

Në moshën 12-vjeçare u detyrua të largohej nga Kosova për shkak të luftës. Sot, dekada më vonë, emri i Toni Hisenajt renditet në SPIEGEL Bestsellerliste, një nga listat më prestigjioze të librave në Gjermani.
Suksesi i tij vjen me librin “Aus Fremden werden Freunde – Warum Integration gelingen muss und wie sie gelingen kann”, i cili ka hyrë në një treg tepër konkurrues, ku publikohen dhjetëra mijëra tituj çdo vit. Renditja në këtë listë konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme në industrinë botuese gjermane.
Për publikun shqiptar, kjo histori ka një dimension të veçantë. Ajo përfaqëson rrugëtimin e një fëmije të larguar nga Kosova, i cili sot është shndërruar në autor dhe pjesë e debatit publik në Gjermani për një nga temat më të ndjeshme të shoqërisë moderne, integrimin.
Në librin e tij, Hisenaj trajton sfidat e integrimit jo nga një këndvështrim teorik, por përmes përvojës personale. Ai rrëfen vështirësitë e nisjes së një jete të re, përballjen me një kulturë tjetër, si dhe pengesat burokratike, duke theksuar rëndësinë e një shoqërie që jo vetëm pranon të ardhurit, por u jep atyre mundësi të kontribuojnë.
Libri ka tërhequr vëmendje të gjerë në Gjermani, duke u bërë pjesë e intervistave dhe diskutimeve publike, ndërsa autori po fiton gjithnjë e më shumë njohje përtej komunitetit shqiptar.
Nga një fëmijë i shpërngulur nga lufta në Kosovë, në një autor të renditur në SPIEGEL Bestsellerliste, rrugëtimi i Toni Hisenajt shihet si një histori suksesi dhe këmbënguljeje që tejkalon kufijtë personalë dhe kulturorë. /Zëri


