Zhupa: Ja si u nda në 5 minuta Shqipëria në parcela personale nga “kumbarja” e qeverisë

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa denoncoi këtë të premte mënyrën se si kalojnë ligjet në Kuvendin e Shqipërisë.
Zhupa tha se një nga ligjet me ndikim të madh është miratuar në fshehtësi të plotë, në një seancë të rrufeshme që ka zgjatur vetëm pesë minuta.
Në këtë seancë, vijoi Zhupa, e cila është shoqëruar me tensione dhe mungesë të plotë diskutimi, mazhoranca ka vepruar me shpejtësi për të shmangur vëmendjen e qytetarëve.
Këta të fundit, të cilët sot po përballen me pasojat e këtij vendimi dhe po kërkojnë llogari, nuk patën asnjë mundësi të kuptonin se çfarë po ndodhte në të vërtetë brenda sallës së parlamentit.
Gishtin e fajit, Zhupa e drejton drejt Ministres së atëhershme, Mirela Kumbaro. Ajo cilësohet si "kumbarja e gjërave të këqija" që po bëhen në emër të Kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht kërkesave për interpelanca dhe thirrjeve në komisione parlamentare, ministrja raportohet të jetë fshehur pas një skenari të paramenduar që tashmë po kthehet në një realitet të hidhur për vendin.
DEKLARATA E ZHUPËS
Mbani mend ka qenë një seancë pesë minuta. E kanë kaluar pa diskutim, e kanë kaluar me sherr dhe kam qenë më pas për të bërë një deklaratë për median.
E kanë kaluar pa e kuptuar publiku. Publiku sot që i kërkon llogari pse nuk reagoi. Po në fakt gjithçka e bënë vetë me shpejtësi dhe në mënyrë të tillë që mos kuptonte askush.
Në atë kohë ishte ministre ajo që në fakt është kumbarja e gjërave të këqija në emër të Edi Ramës, Mirela Kumbaro. Kam bërë interpelanca me të, e kam thirrur në kuvend, e kam thirrur në komisione, por është fshehur mbas asaj që do të ndodhte, që realisht po ndodh sot.
Shqetësimi i qytetarëve është reflektim i asaj që shikojnë që po ndodh me Shqipërinë, e cila po trajtohet në mënyrë të papërgjegjshme sikur është një oborr personal të cilin mund ta ndajë sipas dëshirës në parcela dhe mund ta dhurojë sipas dëshirës Edi Rama. Në atë kohë i bëra thirrje presidentit të Republikës që mos ta dekretonte ligjin.


