Vidhnin makina, falsifikonin shasi dhe i shisnin si të ligjshme, arrestohen 13 persona nga rrjeti shqiptar në Athinë

Policia në Athinë ka goditur një grup kriminal të dyshuar për vjedhje dhe trafikim automjetesh të vjedhura.
Sipas autoriteteve greke, në një operacion të zhvilluar në zona të ndryshme të qytetit, u arrestuan 13 persona, mes tyre 11 shqiptarë dhe 2 shtetas grekë, të moshës 22 deri në 38 vjeç.
Hetimet tregojnë se grupi vepronte që prej marsit 2023, duke vjedhur automjete në Athinë dhe më pas duke i modifikuar me dokumente dhe numra shasie të falsifikuar, për t’i shitur si mjete të ligjshme. Në disa raste, dyshohet se janë bërë edhe deklarime të rreme për vjedhje, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimeve nga kompanitë e sigurimeve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 36 automjete, pajisje për kopjimin e çelësave, mjete për hapje bravash, pajisje elektronike për automjete, telefona, kompjuterë, si edhe para cash. Një pjesë e makinave të gjetura janë kthyer te pronarët.
Autoritetet greke vlerësojnë se grupi ka përfituar rreth 1 milion euro nga aktiviteti i paligjshëm. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.


