“Shqipëria 1 euro”/ Karanxha: Sistemi nuk po jep zgjidhje, proceset zgjasin deri në 20 vite

I ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, ish-prokurori Ervin Karanxha foli për problematikat që shoqërojnë prej dekadash çështjen e pronave në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të mëdha të tranzicionit.

Sipas Karanxhës, për më shumë se tre dekada mungesa e një zgjidhjeje përfundimtare ka krijuar konflikte të vazhdueshme mes pronarëve, ndërsa përplasja mes ligjit për kthimin e pronave dhe ligjit 7501 ka prodhuar pasiguri juridike dhe mosmarrëveshje të shumta.

"Çështja e pronave mbetet një nga dështimet më të mëdha të tranzicionit. Për 35 vite është folur për zgjidhje, por problemi vazhdon të mbetet i hapur dhe burimi i pronësisë shpesh vihet në diskutim."-shtoi Karanxha.

Duke u ndalur te sistemi i drejtësisë, Karanxha tha se qytetarët përballen me procese të gjata gjyqësore, ndërsa shumë çështje civile mbeten pa zgjidhje për vite me radhë. Sipas tij, konflikti për pronat vazhdon të prodhojë pasoja sociale dhe ekonomike për mijëra familje.

"Kur qytetarët kërkojnë zgjidhje, orientohen drejt gjykatave, por realiteti është se shumë procese zgjasin me vite. Ka raste kur një çështje civile mund të mbetet në sistem për më shumë se një dekadë."-tha ai.

Ish-prokurori ngriti shqetësime edhe për administrimin e pronës publike, duke argumentuar se gjatë viteve janë shfaqur probleme me zaptimin dhe tjetërsimin e tokave shtetërore.

Ai përmendi gjithashtu nismën "Shqipëria 1 euro", duke kërkuar më shumë kujdes dhe kontroll në menaxhimin e pasurive publike dhe të burimeve natyrore të vendit.

Karanxha vlerësoi se nevojitet një ndërhyrje më e fortë institucionale për të garantuar siguri juridike mbi pronën dhe për të shmangur konfliktet që vijojnë të mbeten të pazgjidhura prej vitesh.

 

EMISIONET