Skandali i pronave në Spille dhe Plazhin e Gjeneralit/ Llangozi: 600 hektarë tokë shtetërore përfunduan në duart e bankave
I ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, avokati Arben Llangozi foli për një dosje që lidhet me tjetërsimin e pronave në zonën e Spillesë dhe Plazhit të Gjeneralit, duke ngritur dyshime për një skemë të organizuar ku janë përfshirë institucione financiare, ortakë të tyre dhe persona të përdorur si mbulesë në procedurat e fitimit të pronësisë.
Sipas Llangozit, nga qindra përgjime dhe komunikime të administruara në kuadër të hetimeve kanë dalë të dhëna që flasin për një mekanizëm të gjerë përvetësimi të tokave shtetërore në zonat bregdetare.
"Ka qindra biseda dhe komunikime të siguruara me vendime procedurale dhe vendime të Gjykatës së Tiranës. Nga këto materiale del se nuk kemi të bëjmë me një rast të vetëm, por me skema të mirëfillta të grabitjes së pronave të shtetit shqiptar. Sot flasim për rreth 600 hektarë tokë që kanë përfunduar në zotërim të bankave dhe ortakëve të tyre."-tha Llangozi.
Avokati tha se, sipas të dhënave të hetimit, këto prona nuk kanë kaluar në pronësi të bankave vetëm si pasojë e kredive të pashlyera, por përmes procedurave që dyshohet se kanë përdorur persona të tretë dhe emra qytetarësh pa lidhje me pronat në fjalë.
Ai solli në vëmendje edhe një rast konkret, i cili pritet të bëhet pjesë e materialeve që do t’i paraqiten Prokurorisë së Posaçme, ku një grua rezulton të jetë përdorur në skemë pa pasur rol real në proces.
"Sipas hetimit, ortakë të bankave kanë futur në marrëdhënie me Agjencinë e Trajtimit të Pronave persona që në fakt kanë qenë viktima. Në një rast është përdorur emri i një zonje, e cila ishte përfshirë vetëm për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe rrethanave të kohës. Emri i saj është përdorur për të legjitimuar procedura që më pas kanë sjellë përfitime të mëdha."-shtoi ai.
Llangozi tha se dosja përmban një numër të konsiderueshëm dokumentesh dhe materialesh hetimore, ndërsa pritet që organet e drejtësisë të verifikojnë të gjitha pretendimet dhe të përcaktojnë përgjegjësitë për mënyrën se si qindra hektarë tokë shtetërore kanë ndryshuar pronësi ndër vite.


