Ferit Hoxha nga Luksemburgu: Zgjerimi i BE-së është domosdoshmëri strategjike, Shqipëria përfiton 212.8 milionë euro

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e kontinentit dhe jo më vetëm një objektiv politik. Ky ishte mesazhi i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Konferencës mbi Mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar në Luksemburg.
Në fjalën e tij, Hoxha u ndal te rëndësia e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se e ardhmja e rajonit është e lidhur ngushtë me atë të BE-së.
Ai e cilësoi anëtarësimin si projektin kombëtar të Shqipërisë, që vazhdon të orientojë reformat dhe forcimin e institucioneve.
Ministri vlerësoi edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar një instrument që mbështet vendet që ecin përpara me reformat dhe përmirësojnë qeverisjen, llogaridhënien dhe kapacitetet institucionale.
Sipas Hoxhës, Shqipëria ka përfituar 212.8 milionë euro nga ky plan, shuma më e lartë e akorduar për një vend të Ballkanit Perëndimor.
Ai e lidhi këtë rezultat me zbatimin e reformave dhe progresin e arritur në procesin e integrimit.
Në vijim, ministri kërkoi që procesi i reformave të lidhet më ngushtë me procesin e anëtarësimit, në mënyrë që vendet kandidate të kenë një rrugë më të qartë, më të shpejtë dhe më të parashikueshme drejt Bashkimit Evropian.
Hoxha vlerësoi se zgjerimi i BE-së mbetet një përgjegjësi e përbashkët, ku vendet kandidate duhet të vijojnë reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë dhe të mbështesë progresin e arritur.


