Shkatërrohet "fabrika" e kanabisit në Spanjë/ Zbulohen 221 bimë kan*bis dhe 400 kg dr*gë, arrestohen 6 shqiptarë

Shkatërrohet "fabrika" e kanabisit në Spanjë/ Zbulohen

Gjashtë shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e autoriteteve spanjolle pas një operacioni të gjerë antidrogë në provincën e Albasetes, ku u zbulua një plantacion i brendshëm kanabisi i pajisur me teknologji të avancuar. Përveç kultivimit të lëndëve narkotike, ata akuzohen edhe për vjedhje të energjisë elektrike dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Operacioni i koduar "Canli", i zhvilluar nga Garda Civile, nisi pas informacioneve për një aktivitet të dyshuar në komunën Munera. Pas vëzhgimeve të vazhdueshme, hetuesit identifikuan gjashtë persona, të moshës 25 deri në 45 vjeç, që hynin dhe dilnin rregullisht nga prona ku zhvillohej aktiviteti.

Sipas autoriteteve, grupi kishte organizuar roje 24 orë në 24 për të ruajtur plantacionin dhe për të shmangur zbulimin e tij.

Pas kontrollit të pronës u gjetën 221 bimë cannabis sativa, ndërsa pas përpunimit të tyre u vlerësua se sasia e lëndës narkotike arrinte në rreth 400 kilogramë. Gjithashtu u sekuestruan edhe 400 gramë sytha të tharë kanabisi, të gatshëm për shpërndarje.

Hetimet zbuluan se plantacioni ishte ndërtuar me sisteme moderne ujitjeje, ventilimi, ftohjeje dhe ndriçimi, si edhe me pajisje elektronike për monitorimin e temperaturës dhe lagështisë. Në objekt ishin instaluar gjithashtu kamera sigurie dhe sisteme videomonitorimi.

Autoritetet zbuluan se e gjithë infrastruktura furnizohej me energji elektrike përmes një lidhjeje të paligjshme me rrjetin. Sipas ekspertizës së kompanisë së shpërndarjes së energjisë, dëmi ekonomik nga vjedhja e energjisë vlerësohet të jetë mbi 40 mijë euro.

Në fazën përfundimtare të operacionit morën pjesë njësitë e Policisë Gjyqësore, Ekipi Hetimor, Njësia e Sigurisë Qytetare (USECIC) e Albasetes, si edhe patrullat e Gardës Civile të Muneras dhe La Rodas.

Gjashtë të arrestuarit janë dërguar para Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Hetimit nr. 2 në Villarobledo, e cila vendosi masën e paraburgimit në pritje të vijimit të procesit penal.

EMISIONET